​Disa kryetarë të komunave nga Kosova po qëndrojnë në shtetin amerikan të Iowas

Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Iowas do të vazhdojë të fuqizohet, përmes bashkëpunimit më të afërt ndërmjet autoriteteve lokale të të dyja shteteve, por edhe duke u zgjeruar me bashkëpunimin ekonomik. Kjo u tha gjatë një takimi të zëvendësguvernatorit të shtetit amerikan të Iowas me një delegacion të kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Zëvendësguvernatori i shtetit të Iowas, Adam Gregg u shpreh i lumtur me partneritetin e Iowas me Kosovën, i cili reflektohet përmes marrëveshjeve të partneritetit ndërmjet qyteteve të ndryshme të Kosovës me ato të Iowas.

Ai shprehu zotimin e shtetit të tij për zgjerimin e këtij partneriteti edhe në fushën e ekonomisë, duke theksuar mundësinë që biznese nga Iow a të bëhen pjesë e delegacionit të Guvernatores së Iowas, gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin qershor.

Sipas OEAK, pjesë e këtij delegacioni janë kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Kryetarët e komunave të Kosovës shprehën zotimin e tyre për fuqizim të partneritetit me qytetet përkatëse nga shteti i Iowas, duke prezantuar mes tjerash edhe mundësitë për investime në komunat e tyre për kompanitë amerikane nga Iowa. Ata sh prehën mirënjohjen e tyre për përkrahjen e shtetit të Iowas për Kosovën në fusha të ndryshme.

Gjatë kësaj vizite, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri do të nënshkruajë marrëveshjen e partneritetit ndërmjet qytetit të Gjilanit dhe qytetit Sioux City të Iowas, ndërsa Kryetari i Komunës së Vushtrrisë do të ketë takime me homologun e tij si dhe komunitetin e biznesit nga qyteti Norwalk, i cili ka partneritet simotër me Vushtrrinë. Delegacioni i kryetarëve do të takohet edhe me Sekretarin e Shtetit të Iowas, me drejtues të qytetit Fort Dodge, autoriteteve ushtarake të Gardës Nacionale të Iowas, por edhe me kompani e organizata të tjera ekonomike, arsimore, kulturore e sportive.