​Ekipi i parë i Chelseat s’arrin ta mposhtë as ekipin e të rinjve

Pas disfatës së turpshme kundër Manchester Cityt, me rezultat 6:0, lojtarët e ekipit të parë të Chelseat mbajtën stërvitje të dielën, nën drejtimin e Maurizio Sarrit. Megjithatë, as këto stërvitje nuk arritën ta ngrenë vetëbesimin e lojtarëve.
Ekipi i parë i Chelsea nuk arriti ta mposhtë as ekipin e të rinjve të këtij klubit në një ndeshje të organizuar gjatë seancës stërvitore të së dielës, e cila përfundoi me rezultat 3:3

Sipas The Times, ekipi i parë që luajti në këtë ndeshje ishte i përbërë nga banka rezervë në ndeshjen kundër Manchester Cityt dhe disa lojtarë që ishin lënë jashtë skuadrës, përfshirë këtu Olivier Giroud dhe Willianin.

Lojtarët të cilët kishin qenë titullar në ndeshjen kundër kampionit në fuqi të Premierligës nuk luajtën, pasi që ata po bënin ushtrime fizike. Sarri kishte qëndruar për t’i shikuar lojtarët të cilët po luanin kundër ekipit të të rinjve.

Forma e keqe gjatë kohës së fundit ka bërë që të fillojnë spekulimet për një shkarkim të mundshëm të Sarrit nga pozita e trajnerit dhe tanimë kanë filluar lajmet për zëvendësuesit e mundshëm të italianit.

Sarri do të tentojë që ta dëshmojë veten në Chelsea, duke e fituar ndeshjen e radhës, në kuadër të Evropa Ligës. Klubi londinez do të përballet me Malmon. Për ta mbajtur pozitën e trajnerit, ai duhet ta sigurojë një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, gjë që nuk do të jetë aspak e lehtë.