​Paga marramendëse që Ramsey do ta marrë në Juventus

Juventusi është i gatshëm që ta paguajë mesfushorin e Arsenalit, Aaron Ramseyn, 340 mijë euro në javë, nëse arrihet të kompletohet transferimi i tij nga Emirates në Allianz.
Kjo ofertë bën që paga e Ramseyt pothuajse të trefishohet, pasi që sipas kontratës aktuale që ai e ka me Arsenalin, ai i fiton 140 mijë euro në javë. Fillimisht raportohej se paga e tij në Juventus do të ishte 160 mijë euro

Mirëpo, sipas The Times, mesfushori i Arsenalit do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me “Zonjën e Vjetër” dhe sipas kësaj kontrate, ai do t’i përfitojë 340 mijë euro në javë.

Edhe pse është raportuar se Ramsey e ka nënshkruar një marrëveshje me Juventusit, ky transferim ende nuk është bërë zyrtar. Ish-mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, e konsideron këtë transferim si investim brilant për klubin italian.

“Transferimi i Ramseyt është një blerje e mrekullueshme. Juventusi e ka përgatitur një marrëveshje të shkëlqyer. Ai është një lojtar i fortë dhe do ta dëshmojë këtë gjë”, ka thënë Pirlo.

Ramsey pritet të largohet nga Arsenali si transferim i lirë në fund të këtij sezoni, pasi që bisedimet për një kontratë të re me uellsianin përfunduan pa arritjen e një marrëveshjeje mes të dy palëve.

Qysh nga 1 janari, Ramsey ishte i lirë të negociojë me cilindo klub jashtë Anglisë për një marrëveshje për transferim në fund të sezonit, pasi që lojtarët e Premierligës kanë të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje me çfarëdo klubi gjatë gjashtë muajve të fundit të kontratës.