​Përplasja Osmani-Veliu, përfshihet edhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, kërkon qeveri gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe Vetëvendosjes si parti parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Por është shprehur kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës. Këto qëndrime Haziri i bëri të ditura në një intervistë për KosovaPress, teksa komentoi edhe përplasjet e fundit ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.

Ai i quan si zhurmë politike përplasjet brenda partisë së tij, për të cilat thotë se duhet të lihen për kohën postpandemike.

Nënkryetari i LDK-së që njëherësh është edhe kryetar i Gjilanit, thotë se tani është koha që të gjithë së bashku të fokusohen në armikun e vetëm të quajtur COVID-19.

Haziri: S’është koha për zhurmë politike, të fokusohemi në luftën kundër COVID-19

“Nuk ka nevojë për zhurmë politike dhe nuk është koh a për zhurmë politike dhe duhet lënë në kohë postpandemike qëndrimet puro partiake dhe raportet puro partiake ose institucionale. Unë mendoj se duhet kthyer vijës së parë të frontit, e ajo vija e parë e frontit është koordinimi, bashkëpunimi, pavarësisht raporteve politike dhe institucionale në luftë me të panjohurën që quhet COVID-19, e që duhet ta ruajmë shëndetin e popullatës sonë. Së paku ta japin një kontribut me ruajt edhe shëndetin politik këto ditë”, thotë ai.

Pavarësisht rrëzimit të qeverisë Kurti me iniciativë të KDL-së, Haziri thotë se në Kosovë nuk ka ende krizë politike. Thotë se LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse, me VV-në, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, por shton se kriza eventuale politike mund të zgjidhet vetëm në frymë Kushtetuese.

Haziri: LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse me VV-në

“LDK-ja është për frymën Kushtetuese t ë zgjidhjes së krizës politike. Duhet me ia gjet vaksinën politike krizës në të cilën mund të vjen në shprehje meqë qeveria është në detyrë. Për momentin vlerësoi se nuk ka kriza politike, por eventualisht fryma Kushtetuese është rruga e vetme që i jep zgjidhje opsioneve të tjera të ndërtimit të qeverisë. LDK-ja favorizon një qeveri gjithëpërfshirëse me VV-në si parti e parë e dalun me 6 tetor dhe partitë tjera. Sa më gjithëpërfshirëse është më mirë dhe më e drejtë. Duke e përjashtuar rolin tonë gjithmonë jo domosdoshmërish me qenë në qeveri, ne mund të kontribuojmë edhe në forma te tjera. Këto janë dy opsione që tash për tash janë diskutuar. Nëse ka opsione të tjera që mund të vijnë si pasojë e frymës kushtetuese lidershipi i LDK-së atëherë me kohë do të ulet për të diskutuar mundësinë e vendosjes së masave për një stabilitet politik në Kosovë në kohë pandemi gjithmonë”, thotë ai.

Edhe pse t hotë se është për një qeveri gjithëpërfshirëse, nënkryetari i LDK-së deklaron se PDK-ja nuk është në opsinonin e tyre për qeverisje. Madje thotë se raportet me këtë parti u lënduan shumë në vitin 2017 dhe se ende nuk ka një përmirësim të tyre.

Ndërsa me partitë të tjera thotë se do të komunikojnë dhe do të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Haziri: PDK-ja nuk është opsion për qeverisje

“Ne në raport me PDK-në qëndrimet i kemi të qarta. PDK-ja nuk është opsion për qeverisje, as duke qenë LDK-ja pjesë e një qeverisje gjithëpërfshirëse, as duke qenë LDK-ja pjesë e opozitës. Roli i PDK-së dhe raporti PDK-LDK ka ndryshuar drastikisht nga viti 2017. Dhe ky raport nuk është përmirësuar dhe është i njëjtë. Komunikimi ynë është përmes institucioneve kryesisht në kuvend dhe nuk ka tjetër komunikim. Komunikimi me partitë tjera, natyrisht i kemi në dy nivele edhe në atë politiko-partiak dhe nivelin politik-institucional. Do të vazhdojmë të kultivojmë vlerën e bashkëpunimit, tolerancës dhe vlerën e gjithëpërfshirës për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për republikën tonë. Sepse dialogu me Serbinë, normalizimi i raporteve me Serbinë, çështja e politikave për integrim evropian, sundimi i ligjit, reformat, janë politika që kërkojnë një gjithëpërfshirje më inkluzive”, thotë Haziri për KP.

Kujtojmë se Vjosa Osmani dhe Agim Veliu ditët e fundit kanë ngritur nivelin e debatit, duke e akuzuar njëri-tjetrin. Madje Veliu e quajti Osmanin “përkthyese të Thaçit”.