​Shaqiri tregon çfarë i nevojitet Liverpoolit për ta fituar titullin e Premierligës

Ylli i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, beson se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të vazhdojnë të luajnë me mentalitetin fitues që e kanë pasur deri më tani për t’u shpallur kampionë të Premierligës në fund të sezonit.
Liverpooli e kryeson tabelën e Premierligës, me katër pikë më shumë se rivali në vend të dytë, Manchester City. Këtë pozitë, skuadra e Jurgen Kloppit e ka siguruar pasi që e ka humbur vetëm një nga 22 ndeshjet e zhvilluara deri më tani

Shaqiri është i mësuar me triumfin në gara të ndryshme, pasi që ai është njëri ndër dhjetë lojtarët e Premierligës me karrierën më të suksesshme, sa i përket numrit të trofeve të fituar. Përfaqësuesi i Zvicrës i ka fituar gjithsej 13 tituj në karrierën e tij, me Baselin në Zvicër dhe me Bayernin në Gjermani.

Megjithatë, trofeu i parë në Angli mund të vijë për Shaqirin në sezonin e tij të katër në këtë ligë, pasi që Liverpooli është në rrugën drejt titullit të Premierligës. Nëse skuadra e Jurgen Kloppit arrin ta mbajë vendin e parë deri në maj, atëherë në kabinetin e Shaqirit do të shtohet edhe një medalje e artë.

“Natyrisht, trajneri tenton ta largojë presionin nga lojtarët. Kjo është plotësisht normale, por nëse e sheh se ke mundësi të fitosh diçka, atëherë duhet ta përdoresh mentalitetin fitues edhe në fushë”, ka thënë numri 23 i Liverpoolit në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.

“Deri tash, ne kemi punuar shumë, shumë mirë dhe gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm. Por, ne duhet ta vazhdojmë këtë deri në fund. Kjo është pjesa më e vështirë”.

“Mendoj se ka të bëjë me mentalitetin, të gjithë kemi mentalitet fitues. Edhe kur nuk luan gjithë, duhet ta kesh këtë mentalitet, madje edhe në zhveshtore. Së pari, duhet t’i fitosh ndeshjet dhe të thuash: ‘Dua vetëm ta fitoj këtë ndeshje, asgjë tjetër’. Kjo është shumë e rëndësishme”.

“Duhet të kesh edhe durim nganjëherë, këtë gjë e kemi bërë në disa ndeshje të këtij sezoni. Mund ta vëreni se sa e pjekur është kjo skuadër sepse mëson shumë nga ky lloj i ndeshjeve. Deri tani, kemi bërë punë shumë, shumë të mirë. Por, ka ende mjaft kohë deri në fund”.

Shaqiri i ka bërë gjithsej 22 paraqitje për Liverpoolin këtë sezon, 17 prej të cilave në Premierligë. Gjatë këtyre ndeshjeve, ai ka arritur t’i shënojë gjashtë gola dhe t’i bëjë 3 asiste. Ai ishte titullar për dhjetë ndeshje të Premierligës, ndërsa në shtatë u aktivizua nga stoli.