107-vjetori i Ushtrisë Shqiptare, Meta: Përkushtim heroik dhe sakrifica sublime për mbrojtjen e atdheut

​Me rastin e 107-vjetorit të Ushtrisë Shqiptare, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka shprehur urimet më të ngrohta të gjithë burrave dhe grave në uniformë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ai ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e atdheut dhe sigurisë kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë, nën flamurin e NATO-s.

Meta ka theksuar se, “ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxori në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare”.

“Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur!”, ka përfunduar Meta.