38 të lënduar nga ofensiva policore në Katalonjë

Shërbimet emergjente kanë reaguar ndaj 38 personave të lënduar derisa policia mësyu qendrat e votimit për të stopuar referendumin e ndaluar për pavarësi nga Spanja në rajonin verilindor të Katalonjës, kanë thënë shërbimet emergjente të vendit të dielën.

Shumica e tyre pësuan lëndime të vogla ndërsa tre nga ta patën lëndime serioze.

Ndërkaq, lideri rajonal i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka akuzuar autoritetet për përdorim të “dhunës së paarsyeshme, të tepruar dhe të papërgjegjshme” në aksionin e tyre kundër referendumit për pavarësinë e Katalonjës nga Spanja, raporton Reuters.

Dhuna përmes shkopinjve dhe plumbave të gomës nga policia spanjolle për të penguar votimin e asaj që autoritetet spanjolle e kanë cilësuar si referendum ilegal ka shfaqur një “imazh të frikshëm të Spanjës”, ka thënë ai para gazetarëve.

“Dhuna e paarsyeshme, e tepruar dhe e papërgjegjshme nga shteti spanjoll sot jo vetëm se ka dështuar të stopojë dëshirën e katalanëve për të votuar… por edhe ka ndihmuar në qartësimin e të gjitha dyshimeve që është dashur t’i zgjidhim sot” ka thënë ai.

Katalonja, një rajon i pasur me 7.5 milionë banorë në verilindje të Spanjës, ka gjuhën dhe kulturën e saj, por nuk njihet si komb i veçantë nga shteti spanjoll.