“50 për qind e banorëve të Kosovës nuk ndihen të sigurt”

Në Kosovë që nga paslufta vetëm gjatë një viti ndodhin mbi 15 mijë aksidente. Megjithatë, thuhet se gjatë vitit 2019 ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet, ndërsa ka pasur rritje të numrit të aksidenteve me dëme.

Kështu u tha në konferencën e organizuar me kryesuesit e Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi, ku nga këta të fundit të pranishëm ishin vetëm kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe ai i Mamushës, Abdylhadi Krasniq.

Për institucionet lokale pati edhe kritika nga OSBE, ku sipas tyre pavarësisht mbështetjes nuk ka pasur progres në siguri.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se është me rëndësi që sot po diskutojnë për dy tema, për sigurinë në trafik dhe për të riatdhesuarit nga Siria në Kosovë.

Mustafa ka theksuar se në prill të këtij viti, në Kosovë janë riatdhesuar 110 persona nga vatrat e Sirisë, ku prej tyre katër janë luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Ai ka diskutuar edhe për aksidentet e shumta në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas tij është koha e fundit kur institucionet duhet të ndërmarrin diçka për minimizimin e aksidenteve.

Zëvendës ambasadori i OSBE-së, Killan Wahl, tha se në bazë të hulumtimeve gjysma e qytetarëve në Kosovë nuk ndihen të sigurt.

Ai pati kritika ndaj institucioneve qendrore, sipas të cilit pavarësisht mbështetjes së OSBE-së, nuk është shënuar progres.

Krahas kësaj, nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi tha se gjatë vitit 2019 në Prishtinë kanë vdekur 10 persona si pasojë e aksidenteve. Sipas tij, gjatë këtij viti aksidentet me dëme kanë shkaktuar ngritje, ndërsa ato me viktima janë në rënie.

Fejzullah Mustafa nga Ministria e Infrastrukturës, konsideroi për rritjen e sigurisë rrugore duhet të parashihet buxhet më i madh, për çka tha se kanë mungesë. Mustafa mes tjerash tha se mosha më e rrezikuar për aksidente në trafik është ajo mbi 18-vjeç.