51-vjeçari trafikonte armë nga Serbia në Shqipëri, gjykata jep vendimin

Arrest në burg vendosi sot gjykata e Krimeve të Rënda për 51-vjeçarin Ylber Ademi nga Kosova, i cili u arrestua dy ditë më parë duke trafikuar armë, municione dhe eksploziv.

Ademi u arrestua në aksin nacional Elbasan-Peqin duke udhëtuar me automjet dhe iu sekuestruan 19 pistoleta, 400 fishekë dhe 4 kallëpe tritoli. Sipas policisë, 51-vjeçari i trafikonte armët nga Serbia dhe i transportonte në Kosovë e më pas destinacioni final ishte Shqipëria, ku dhe i shiste.

Autoritetet e kishin mbajtur nën vëzhgim Ylber Ademin para se ta arrestonin, me qëllim që të zbulonin blerësit e armëve dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Nga veprimet e deritanishme proaktive ka rezultuar se 51-vjeçari ka shitur edhe më parë armë luftarake në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera.