800 euro dreka në Ohër, turistët publikojnë faturën

Ohri shpesh është kritikuar për çmimet e larta, veçanërisht ato fiktive që janë shpikur për turistët e huaj që vizitojnë qytetin. Sidoqoftë, nga një rritje e vogël në çmime, te faturat marramendëse ka një ndryshim goxha të madh.

Një turist i huaj kohët e fundit është ankuar për “faturë e majme” në një restorant, e cila është bërë virale në shtetin fqinj, e jo vetëm.

Në vlerësimin që i bëhet restorantit, turisti që është ankuar dhe ka bërë publike faturën, quhet Johannes Reich dhe ai shkruan se për ta fatura prej 50 000 denarësh (rreth 800 euro) ishte një çmenduri, dhe ata kishin rënë pre e një mashtrimi.

Johannes shkruan se ai dhe tetë miqtë e tij ishin ulur në një restorant për drekë, dhe 7 prej tyre porositën peshk, sallatë dhe perime që ata t’i ndanin. Porositën gjithashtu birra dhe verë të kuqe, e përveçse u kishin sjellë verën më të shtrenjtë, turisti thotë se ata sollën edhe gjëra që nuk i porosisnin.

“Ne ishim një grup prej nëntë personash dhe patëm një përvojë shumë të pazakontë në këtë restorant. Kur u ulëm, ata na thanë që kishin troftë të freskët nga liqeni, kështu që shtatë nga ne porositën disa peshk, të tjerët sallatë dhe perime për t’i ndarë. Porositëm birrë dhe verë të kuqe për të pirë. Në fillim ata na sillnin shumë më tepër sesa kishim porositur, dhe ata gjithashtu nuk na treguan se sa peshq do të sillnin. Kur mbërriti fatura pamë që ata na kishin dhënë verën më të shtrenjtë (një shishe prej 1500 denarë), dhe kishte gjëra që ne nuk i porositëm dhe nuk i morëm. Por ajo që u bë problematike ishte që ata pretendonin se na kishin shërbyer 12.5 kg peshk për shtatë persona, madje pa na pyetur sa donim. Në fund ata na dhanë një faturë mbi 50,000 denarë”, shkruan turisti.

Turistët e shokuar nuk ishin dakord me llogarinë dhe thirrën menaxherin, por stafi i restorantit, tregon Johannes, thërriti shërbimin e sigurisë që i kishte kërcënuar.

Pas 3 orësh grindjeje, turistët paguan vetëm 40,000 denarë. Por Johannes thotë se ende ndjehen të gjithë të mashtruar.