A LUFTOHET KORRUPSIONI VETËM ME FJALË?

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Përderisa gati në të gjitha shtetet e rajonit për shkak të korrupsionit janë prangosur edhe politikanët të lartë, në Kosovë kjo ende nuk ka ndodhur. Në vend të prangave, te ne po përdoren fjalët. Por fjalët i merr era, kurse mosndëshkimi si kulturë po bëhet pjesë e sjelljeve tona.

Jemi në prag fushate zgjedhore dhe partitë politike duan të artikulojnë atë çka dëshiron veshi i qytetarëve, dhe si në kor, gati të gjithë shprehen se janë kundër korrupsionit.

Madje të gjithë duan ta luftojnë korrupsionin. Por vetëm me fjalë. Asnjë veprim konkret deri më tani nuk u ndërmor nga krerët e institucioneve. Në këtë mënyrë, korrupsioni jo vetëm që nuk po luftohet, por ai po përkëdhelet edhe ma shumë nga fjalët pa efekt.

Një shtet i organizuar mirë dhe i ngritur mbi kode moderne të funksionimit, korrupsionin e lufton me ligje dhe me mekanizma adekuat.
Ministri i një shteti evropian para do ditësh kishte dhënë dorëheqje, sepse në pushim e kishte marrë me vete telefonin celular.

Muaj më parë gjithashtu një politikan i rangut të lartë në Austri u tërhoq nga funksioni sepse i dolën në shesh pamje që komprometonin karrierën e tij, por edhe postin që ushtronte.

Dorëheqjet në Europë dhe Amerikë janë më shumë akte morale, ndërkohë që në mendësinë tonë ballkanike institucioni i dorëheqjes konceptohet si diçka e turpshme. Ekziston një hendek gati i pakalueshëm në mes të perceptimit të publikut për korrupsionin dhe dorëheqjeve të politikanëve si akte morale.

Sa i përket Kosovës ka kohë që shoqëria civile , por edhe organizatat ndërkombëtare, korrupsionin e nxjerrin si problemin e dytë pas papunësisë, ndërkaq shkalla e korrupsionit te ne është mjaft shqetësuese për arsye se politikanët e përdorin pushtetin për të krijuar favore për vete dhe për monopolet që ata i kontrollojnë.

Nuk janë të pakta rastet kur investitorë të huaj janë ankuar se bërja biznes në Kosovë nga ana e tyre ka qenë gati pamundur për arsye se kanë qenë politikanë të caktuar të cilët që në start kanë favorizuar interesat e tyre personale në dëm të interesit publik. Këto ankesa i ke të arkivuara në dosjet e shumë kompanive të huaja, ndërkohë që politikanët dhe akrabatë e tyre vazhdojnë të na shesin moral për luftimin e korrupsionit.

Trajtat e korrupsionit në Kosovë janë të ndryshme, ndonjëherë edhe të sofistikuara, sidomos kur përgatiten ligje që iu mundësojnë grupeve të caktuara të interesit të përfitojnë nga shitja e pasurive shtetërore, nga tenderimi i lidhur me grupe të ngushta njerëzish të afërt me pushtetin, si dhe nga favoret e shumta që lidhen drejtpërdrejt me pushtetin si instrument për të prodhuar mirëqenie individuale e jo kolektive.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos e niveleve të larta të pushtetit, është pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset eurointegruese, si parakusht i sigurimit të qëndrueshmërisë politike e institucionale në vend.

Pa këto parakushte, Kosova me dekada mund të qëndrojë para dyerve të Brukselit, por e ka gati të pamundur të bëhet pjesë e familjes së madhe të BE-së.

Para disa muajsh parlamenti i Kosovës miratoi nëntë projektligje që lidhen me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Sipas Kodit të ri Penal, zyrtarëve që dënohen për vepra të korrupsionit do t‘u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike deri në 10 vjet.
Deklarativisht, lufta kundër korrupsionit në Kosovë është shpallur kaherë, por rezultate janë gati zero. Kjo edhe për pasojë se sistemi i drejtësisë te ne ende nuk është ngritur mbi dobësitë e veta për të shpallur fajtorë edhe bartës të funksioneve të larta shtetërore.

Në të gjitha debatet që organizojnë shoqatat joveritare, por edhe ambasadat e huaja jepen gati të njëjtat rekomandime se lufta kundër korrupsionit në Kosovë do të fitohet vetëm nëse ajo fiton karakter gjithënacional dhe nëse këtë luftë pakompromis e përkrahin institucionet e Kosovës. Por kjo nuk mund të arrihet vetvetiu, nëse vetëdija qytetare nuk ngritet në normë të sjelljes për të denoncuar çdo dukuri korruptive, duke filluar nga ordinancat e mjekut e deri te sportelet e administratës.

Përderisa gati në të gjitha shtetet e rajonit për shkak të korrupsionit janë prangosur edhe politikanët të lartë, në Kosovë kjo ende nuk ka ndodhur. Në vend të prangave, te ne po përdoren fjalët. Por fjalët i merr era, kurse mosndëshkimi si kulturë po bëhet pjesë e sjelljeve tona.

Politika dhe institucionet në këto rrethana e kanë vështirë të krijojnë një klime të besueshme biznesi, kurse depresioni i qytetarëve është në rritje, për arsye se në sytë e tyre tash më është fiksuar imazhi i politikanit të korruptuar.

Do të duheshin përpjekje titanike të të gjithë neve si shoqëri që ta çrrënjosim këtë imazh, kurse ata që mendojnë të marrin timonin e shtetet pas zgjedhjeve të ardhshme këtë e kanë detyrën më prioritare.
Vetëm në një shtet më pak të korruptuar, ekonomia ka shanse të prodhojë mirëqenie dhe ardhmëri të sigurt.

Në një shtet të tillë besueshmëria ndaj institucioneve është tregues praktik se shteti është në funksion të interesave të qytetarëve, kurse të gjithë ata që tentojnë të keqpërdorin paranë publike mund të ndëshkohen sipas ligjeve dhe masave antikorruptive. Çdo shmangie nga kjo betejë do të ishte fatale për Kosovën, sidomos për rininë e cila për çdo ditë po ikë si pasojë e pasigurisë sociale dhe dimensioneve shqetësuse të korrupsionit, nepotizmit dhe krimit në shoqërinë tonë.

Ende ka pak kohë, por jo edhe shanse që të lirohemi nga të gjithë ata që shtetin e konsiderojnë si pronë të tyre. Zgjedhjet e ardhshme duhet ta konfirmojnë pikërisht vullnetin e shumicës për një shtet pa korrupsion, nepotizëm e kriminalitet.

Prishtinë, 29 gusht