A po përgatitet deputetja e PDK-së të avancohet si profesoreshë në UP

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu- Kodra, me 5 prill do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, si aktore në shfaqjen “Bryma e Vdekjes” me regji të Burbuqe Berishës, e cila së fundi u pa në ndejën e PDK-së me rastin e 8 marsit.

Regjisorja Berisha përveç që i dha rol deputetes së PDK-së në shfaqjen e saj, ajo ka angazhuar edhe motrën e Shefit të GP të PDK-së, Memli Krasniqi, Teuta Krasniqin.

Por, jo vetëm kaq, edhe teksti i shfaqjes “Bryma e Vdekjes” është i Milazim Krasniqit, babait të Teutës e Memlit.

Deputetja e PDK-së, Deliu-Kodra, është ligjëruese e jashtme në Fakultetin e Artit në UP. Ajo ligjëron lëndën e diksionit. Por për të qenë profesor, kriteret janë më të mëdha. E njëri ndër ta është edhe realizimi i një roli në ndonjë shfaqje teatrale.

Ish prezantuesja e motit në RTK, tani deputete e PDK-së është pyetur nga Indeksonline se dhënia e rolit në shfaqjen “Bryma e Vdekjes” a mund të jetë parapërgatitje për tu avancuar në UP, mirëpo ka hezituar të përgjigjet me arsyetimin se është në fitnes dhe se nuk po e dëgjon mirë pyetjen.

“Jam në fitnes dhe nuk po e dëgjoj mirë pyetjen. Dëgjohemi më vonë”, ka thënë shkurt Deliu- Kodra.

Mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur gjatë gjithë ditës, pavarësisht tentimeve për ta telefonuar sërish.

Ka kontaktuar edhe regjisoren Burbuqe Berisha e cila ka mohuar se zgjedhja e Deliu-Kodrës ka të bëjë me avancimin e saj si profesoreshë e rregullt në Universitetin e Prishtinës.

Ajo në një prononcim tha se e ka zgjedhur Blerta Deliu-Kodrën për të qenë pjesë e shfaqjes për shkak se i është përshtatur si aktore në një nga rolet e shfaqjes së saj, premiera e së cilës do të jepet më 5 prill.

“Po unë e kam zgjedhur Blerta Deliu-Kordrën me qenë pjesë e shfaqjes. Jo, s’ka lidhje kurgjo me avancimin, mua më është përshtatur si aktore dhe e kam thirrur me lujtë”, tha Berisha.

Blerta Deliu është e angazhuar në UP që nga tetori i vitit 2017. Është deputete që disa mandate ndërsa tani është kyçur me rol edhe në Teatrin Kombëtar për të cilin do të paguhet nga Buxheti i Kosovës.