Abdixhiku: Numrat nga terreni e kanë tmerruar pushtetin, askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe ta prekë demokracinë, pasi kryeparlamentari dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha mbrëmë se po të pyetej ai, do t’i shtyente zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor.

Abdixhiku ka thënë se pushteti i LVV-së po flirton me idenë e shtyerjes së zgjedhjeve. Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se numrat nga terreni po e tmerrojnë partinë që po qeveris me vendin.

“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”. ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kërkesa e LDK-së për ta shkurtuar fushatën zgjedhore në 10 ditë, Abdixhiku tha se s’ka marrë ende përgjigjje nga partia e parë. Por shtoi se nuk do ta tolerojnë, siç tha ai, prekjen e fundamentit demokratik.

“Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, shkroi kreu i LDK-së.

Abdixhiku tha se KQZ-ja është gati për t’i organizuar zgjedhjet në mënyrë shembullore, derisa kujtoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit ishin mbajtur pa asnjë vaksinë.

“KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai i ftoi partitë opozitare, shoqërinë civile dhe mediat që ta refuzojnë tendencën e LVV-së për t’i prekur zgjedhjet.

“Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”, ka shkruar Abdixhiku.