Afati i fundit për nënshkrimin e Ligjit të Pagave nga Presidenti, sonte në mesnatë

Pas disa orësh, përfundon edhe afati ligjor për nënshkrimin e Ligjit të Pagave nga ana e Presidentit të Kosovës.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka konfirmuar se afati ligjor për nënshkrimin e këtij ligji përfundon në mesnate, dhe se deri në përfundim të orarit nuk kanë marrë asnjë shkresë nga Presidenti Thaçi.

Përkundër insistimit disa orësh, zyrtarët për media të Zyrës së Presidentit, nuk i janë përgjigjur interesimit të KTV-së për veprimin e Presidentit.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që ligji hyn në fuqi, nëse Presidenti as nuk e kthen e as nuk e nënshkruan. Kjo ndodhë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.

Kushtetuta e Kosovës, Neni 80 – Miratimi i Ligjeve ndër të tjera thotë se “Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”.