Ahmeti dorëzon kallëzimin penal ndaj VV-së

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj Vetëvendosjes për shpifje lidhur me akuzat për tenderin me qumësht.

“Siç e kam paralajmëruar, sot kam ushtruar padi ndaj VV-së për shpifje të vazhdueshme, posaçërisht për qumështin. Këtë padi e kam ushtruar për shkak se u shpallën edhe vetë gjykatës edhe pse ishin tërë kohën pjesë e furnizimit me qumësht. Por për ta më s’është e rëndësishme e vërteta e as paraja publike që po i potencojnë, por sulmet e vazhdueshme kundër neve duke shpifur duke mos pasur asnjë konsideratë për të vërtetën”, ka thënë ai me këtë rast.

Ai ka shtuar se padia është dashur që të shkojë për “njeriun kryesor, që fshihet pas fytyrave tjera të Vetëvendosjes”.

Ka ftuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në debat publik lidhur me çfarëdo teme.

“Le të tregojmë publikisht kush po rren në këtë mes”, ka thënë ai.