Ahmeti: Nuk ka krizë, mund të ketë dallime që nuk e cënojnë as integritetin as moralin e palës tjetër

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dje në konferencë për shtyp mohoi se ka përçarje mes partnerëve të koalicionit qeveritar LSDM-BDI, duke theksuar se mund të këtë vetëm dallime në pika që nuk e cenojnë as integritetin as moralin e asnjërës pale. Madje, Ahmeti paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve për kandidatin e mundshëm për president, duke shtuar se për këtë qëllim do të takohet sot me kryeministrin Zoran Zaev.
“Jam i mendimit që kjo çështje do të marrë epilog. Nesër kam takim me kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev për t’i dhënë kahe këtij problemi, kësaj çështje jo të parëndësishme, shumë me rëndësi për vendin”, tha Ahmeti.

Sipas tij, zërat se LSDM-ja mund të vendos që të qëndrojë në Qeveri edhe pa BDI-në, janë shumë të gabueshëm.

“Nëse Qeveria mbahet pa BDI, atëherë do të kisha thënë që bënë shumë gabim. Kjo mund të jetë deklaratë e një anëtari të LSDM-së apo një funksionari të LSDM-së, i cili nuk ka përgjegjësinë e misionit të madh historik që ka Republika e Maqedonisë së Veriut. Unë në këtë situatë kam përgjegjësi përpara qytetarëve”, tha Ahmeti.

Ai u përqendrua edhe në atë që ndodhi dy ditë më parë në Kuvend, ku kryetari i Parlamentit nuk e hodhi në votim heqjen e mandatit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski.

“Veljanovskin nuk e shpëtoi askush, por u respektua rregullorja e kuvendit dhe ligjet në funksion duke mbrojtur kështu në mënyrë të drejtpërdrejt kryetarin e Kuvendit”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së foli edhe për situatën politike në vend dhe për kandidatin e mundshëm konsensual për president, me ç’rast ka shprehur bindje se me partnerin e koalicionit do të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.