Ahmeti: Platforma për dialogun nesër votohet nga delegacioni shtetëror, të premten i dërgohet Kuvendit

Përfaqësuesi i ekipit negocaitor, Shpend Ahmeti, ka folur pas takimit që kanë pasur me përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike, ku kanë diskutuar rreth platformës përfundimtare për dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se nesër do të ketë një takim të delegacionit shtetëror, ku edhe pritet që të votohet platforma.

“E patëm edhe një takim. Kaluam në versionin e platformës, fjalë për fjalë. I dhamë komentet përfundimtare. Sot e dërgojmë edhe në subjektet politike që jemi të përfaqësuar”, ka thënë Ahmeti para gazetarëve

Ai ka treguar se nëse nesër votohet në delegacionin shtetëror, atëherë të premten platforma për dialogun i dërgohet Kuvendi të Republikës së Kosovës.

“Besoj që nesër jemi të gatshëm që ta votojmë në delegacionin shtetëror, pra në qoftë se nesër i bëjmë të gjitha ndryshimet dhe e votojmë në delegacionin shtetëror, atëherë besoj që të premten mund ta dërgojmë në Kuvend”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë kërkesë nga presidenti Thaçi për të shtuar ndonjë gjë në platformë, Ahmeti ka thënë se nuk ka pasur kërkesa të tilla, duk bërë të qartë që presienti në rast se ka ndonjë kërkesë të tillë mund t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Jo, ne i kemi thënë presidentit, ai mundet me ia dërgua Kuvendit letër. Nuk kemi pasur kërkesa të tilla”, ka përfunduar Ahmeti.