AKR e dobët në diplomaci, e brishtë në punët e brendshme

AKR-së së Behxhet Pacollit nuk po i ecën mirë me ministrat në qeverinë PAN. Si asnjëri prej partnerëve të koalicionit, kjo parti emëron e shkarkon ministra.
Me të nisur qeverisja në drejtimin e Ramush Haradinajt, AKR-së i ranë hise 4 ministri dhe zëvendëskryeministri.

Flamur Sefaj u emërua ministër i Punëve të Brendshme, Behgjet Pacolli ministër i Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministër, Valdrin Lluka ministër i Zhvillimit Ekonimik dhe Fatmir Matoshi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Mirëpo, problemet e AKR-së me ministra nisën qysh në fillim të vitit 2018.

Fillimisht, ende pa u bërë 7 muaj në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj u shkarkua nga detyra.

Kjo ndodhi me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për dorëheqje, lidhur me çështjen e ndërprerjes së leje qëndrimit, ndalimit dhe depërtimit urgjent të shtetasve turq nga Kosova.

Edhe shkarkimi nuk u vonua. Sipas marrëveshje së AKR-së me Haradinajn, që vet AKR të shkarkojw dhe të emërojw ministrat, Behgjet Pacolli e shkarkoi nga posti i ministrit, Flamur Sefajn.

Në lidhje me shkarkimin e tij, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka sqaruar gjithë situatën.

“Ministri Sefaj ka qenë me kulturë evropiane dhe i përgatitur, me përvojë në menaxhim, ai ka shkuar në një situatë të palakmueshme që secili do të mund të kishte shkuar. U krijua situata ku u depërtuan shtetasit turq, dhe ky ka qenë në atë situatë ku i ka besuar AKI-së, duke mos e njoftuar kryeministrin me nënkuptimin se AKI e ka bërë një gjë të tillë, dhe kjo ka bërë që ai të jetë para një situate të tillë dhe sigurisht dikush duhet të japë llogari, sepse kur është në pyetje shteti, individi është shumë i vogël”, është shprehur Makolli

Vendin e Sefajt, me emërimin e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, e zuri Bejtush Gashi, po ashtu nga radhët e AKR-së.

As Gashit, nuk i zgjati shumë detyra në postin e ministrit, ky i fundit u shkarkua ende pa i bërë 7 muaj në ushtrimin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme.

Arsye për shkarkimin e tij nuk kishte, kjo ishte kërkesë e prerë e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, sipas tij për riformatim të Qeverisë.

E arsyen e vërtetë të shkarkimit të tij e ka shpjeguar sekretari i AKR-së, Vesel Makolli.

Sa i përket ministrit Bejtush Gashi, Makolli ka thënë ka qenë një marrëveshje që një ministër të nominohet nga Labinot Tahiri pasi ka kontribuar shumë në formimin e qeverisë.

“Kjo ka qenë të themi ashtu një marrëveshje gjentelmenësh, se duhet Ferizaji të ketë një ministër. Kështu që ka shkuar në këtë kontekst”, sqaroi më tutje Makolli.

I treti ministër në të njëjtën ministri, pas shkarkimit të Gashit u emërua Ekrem Mustafa, me nominimin e Labinot Tahirit, deputetit nga radhët e AKR-së.

Ministria e Punëve të Brendshme edhe pse ndërroi 3 ministra, nuk është se u vlerësua ndonjëherë nga i pari i qeverisë, Ramush Haradinaj.

Por, ajo që mund të potencohet është fakti se as Ekrem Mustafa si duket nuk e ka të sigurt postin e ministrit.

Në media, ditëve të fundit është raportuar vazhdimisht se edhe ky i fundit së shpejti do të shkarkohet nga ky post dhe do të emërohet një tjetër, përsëri nga radhët e AKR-së.

E sa i përket punëve, mbarë nuk i ka ecur as liderit të kësaj partie, Behgjet Pacolli, në postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

Përgjatë një viti të plot kalendarik, gjatë 2018-ës, ministri Pacolli, i kishte sjellë Kosovës, saktësisht vetëm një njohje.

Madje, deklarimet e Pacollit se kishte bërë 100 mijë kilometra për 100 ditët e para të tij në post për lobim të njohjes së shtetit të Kosovës, në praktikë – nuk patën asnjë efekt.

Sekretari i AKR-së, Makolli, sa i përket njohjeve të Pacollit është shprehur se në këto momente njohjet vijnë më ngadalë, por Pacolli do të mbetet në histori për një gjë:

“Kjo është një temë pak më e gjerë. Në fillim njohjet kanë ardhur vetvetiu, por tani kur numri është në 116, njohjet vijnë më ngadalë dhe sigurisht kanë ndikuar rrethanat e krijuara. Në të kundërtën ministri Pacolli do të mbetet në histori që ka udhëtuar në të gjitha vendet e botës, duke lobuar me mjete të veta për të sjellur njohje”, vazhdoi Makolli.

Pacolli kishte premtuar se kur të vijë në qeverisje, do të rris numrin e shteteve që kanë njohur në 160, por deri tani ai ka mungesë të 44 njohjeve për ta përmbushur premtimin e tij.

Në lidhje me këtë, Makolli ka thënë se kjo do të realizohej, sikur mos të ndodhnin disa veprime që veç kanë ndodhur, ai ka arsyetuar duke thënë se: “…sigurisht bisedimet kanë ndikuar që shtete të hamendësohen sa i përket njohjes, pra është krijuar një situatë e pavolitshme në anën ndërkombëtare.”

Problemet e AKR-së me ministra nuk përfundojnë tek këto dy ministri.

Albena Reshitaj, e emëruar në postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dha dorëheqje nga posti i ministres dhe vendin e saj e zuri, Fatmir Matoshi.

Arsyet e dorëheqjes të ministres Reshitaj nuk u bënë të qarta pothuajse asnjëherë, u përmend Task-Forca për mjedisin, përplasjet e saj me Rrahim Pacollin, punësimet e të afërmve të saj në ministri, por arsyen e saktë e ka zbuluar Visar Makolli i AKR-së, duke lënë të nënkuptohet se performanca ishte arsyeja.

“Albena ka dhënë vet dorëheqje, sigurisht që puna jo vetëm e ministrave por të gjithëve me u shiku. Ajo ka dhënë dorëheqje, unë e di që ajo ka qenë e përkushtuar pra është e mundur që diçka nuk ka shkuar në rregull”, tha Makolli

Fatmir Matoshi i emëruar në postin e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk është se pati ndonjë sukses të madh.

Por ndryshe mendon, sekretari i AKR-së, Makolli.

Ai është shprehur se janë realizuar shumë projekte të rëndësishme nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Duhet të jemi brenda të dimë, por e di që disa projekte për lumenj janë realizuar, mirëpo Fatmiri i ka shtyrë gjërat, nuk ka realizime absolute të projekteve por gjërat kanë ecur përpara”, tha Makolli.

Ai problemin e ndotjes së ajrit, e ka adresuar tek i gjithë sistemi qeveritar dhe jo vetëm tek MMPH-ja.

“Edhe në ambient, ju e dini rreth ajrit të ndotur, por sistemi i tërë duhet të veprojë dhe jo vetëm ministria e tij”, përfundoi Makolli.

E hiç më mirë në postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik nuk doli Valdrin Lluka.

Përveç miratimit në Kuvendin e Kosovës të ligjit për Trepçën, kishte ngecje në realizimin e projekteve të tjera të cilat ishin paraparë të ndodhin.

Si rrjedhim i kësaj, këto probleme të AKR-së me ministra siç duket kanë ndikuar edhe në probleme brenda partisë, ku Labinot Tahiri kaloi në Grupin Parlamentar të AAK-së së fundmi.