AKR e gatshme të hyjë në koalicion me VV-në

Sekretari i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, ka bërë me dije se partia e tij është e gatshme të bisedojë me Lëvizjen Vetëvendosje në të mirë të shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka folur rreth krijimit të qeverisë së re, se a do të diskutojnë me LVV-në në lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm nëse nuk ec përpara marrëveshja me LDK-në.

Makolli, ka pohuar se deri tash nuk kanë pasur asnjë ofertë nga asnjë subjekt, mirëpo, thotë se janë të hapur për të vepruar në të mirë të shtetit.

“Ne gjithmonë e kemi shikuar interesin e shtetit dhe asnjëherë interesin partiak. Por proceset i kemi shtyrë përpara. Ne do të bisedojmë me çdokënd për krijimin e institucioneve dhe qeverisë së re. Jemi për çdo opsion që është në interesa të shtetit”, ka pohuar Makolli.

Ai nuk ka lënë pa përmendur ngrirjen e negociatave LDK-VV. Ka thënë se e ka menduar një stagnim të tillë.

“Unë kam dyshuar dhe e kam menduar që do të vijë tek një stagnim i tillë për shkak të sjelljeve që kanë pas. Por këto është dashtë të tejkalohen dhe po ashtu thanë që marrëveshja është kryer. Partitë tona nuk e shikojnë interesin e shtetit e ndërkohë kemi shumë procese që duhet të ecin përpara”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se mbrëmë anëtari i LVV-së Glauk Konjfuca në një emision ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në, do të shikojnë opsione të tjera.

“Në fund do të ulemi dhe do të shqyrtojmë cilat janë opsionet e Vetëvendosjes dhe do të themi a ja vlen t’i kontaktojmë të tjerët, apo po shkojnë në zgjedhke, apo po hina në këto marifetet me PDK-në”, ka thënë Konjufca mbrëmë në Pressing.