Aksident trafiku me fatalitet në magjistralen Pejë – Prishtinë, Policia apelon për kujdes

Ilustrim

Një person ka vdekur e dy të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në magjistralen Pejë – Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Sot, me datë 03.12.2019 rreth orës 11:15 në Korreticë të Lartë, afër parkut të biznesit është shkaktuar një aksident trafiku ka kanë qenë të përfshira pesë vetura me targa vendore. Nga ky aksident një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore me ç’rast kanë marrë tretman mjekësor”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka shtuar se rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitë policore dhe njësia e hetimeve të aksidenteve në trafik. Dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi mjekësor ku ka konstatuar vdekjen e viktimës, si dhe mjekësia ligjore e cila ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë.

“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, përderisa sipas autorizimeve një person i dyshuar është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë, për procedura të mëtejme”, ka thënë Hoxha.

E pas reshjeve të borës, që ka rënduar rrugët, Policia apelon që të ketë kujdes të shtuar në trafik në mënyrë që mos të përsëriten raste me pasoja fatale.

“Pas ndryshimeve atmosferike në vend dhe krijimit të rrethanave të tjera nëpër rrugë apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë më vigjilent dhe shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin me kushte në rrugë, në mënyrë që rastet e tilla të aksidenteve me pasoja fatale të mos përsëriten”, ka thënë Hoxha.