Aksidenti në Shkup, pesë persona ende në gjendje të rëndë

Pesë ditë pas aksidentit fatal në fshatin Llaskarcë, gjendja shëndetësore e disa prej të lënduarve mbetet e pandryshuar.
Pesë persona akoma janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Në gjendje më të rëndë është 19 vjeçarja, të cilës pak ditë më parë iu amputua këmba. Të hospitalizuar gjithsej janë 26 persona.

“Për momentin në njësinë për kujdes intensiv janë katër pacientë, dy prej të cilëve vazhdojnë të jenë në gjendje kritike dhe dy prej tyre në ventilim mekanik, dmth frymëmarje artificiale ndërsa dy të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme dhe gjendja e tyre ndiqet nga ora në orë. 1:45 Pacienti më i vështirë për momentin mbetet vajza 19 vjeçare që ka lëndime shumë serioze dhe që ia rrezikojnë jetën”, theksoi Albert Lleshi, Qendra Urgjente.

Nga Spitali “8 shtatori” njoftuan se gjendja e 15 vjeçarit, i cili është pacienti më i ri nga të gjithë të shtruarit po shkon drejt përmirësimit.

“Tre pacientët të cilët janë në Repartin për shërim intensiv, njëri është në gjendje të mirë bëhet fjalë për djalin 15 vjeçar i cili është stabil dhe me siguri edhe ndonjë ditë dhe do të transferohet në Repartin e kirurgjisë abdominale. Dy të tjerët janë pacientët që janë nga fillimi këtu në ventilim mekanik me neurotraumë prioritare, njëri prej tyre jep shenja se po i përmirësohet gjendja, gjatë ditëve të ardhshme do të mundohemi të zgjohet , ndërkaq tjetri është në gjendje standarde stabile siç ka qenë deri më tash. Ka edhe një paciente që është në kujdes gjysmë intensiv në Qendrën e traumës, është në gjendje të mirë por nën vëzhgim të pa ndërprerë”, u shpreh Hristijan Kostov, Drejtor i Spitalit “8 shtatori” Shkup

Deri më tash, katër pacientët të cilët kanë qenë në gjendje më të rëndë janë transferuar nga Spitali 8 shtatori në Qendrën Urgjente. Për momentin nuk pritet të transferohen edhe të tjerë.

Ndërkohë të martën pritet të lëshohen për kurim shtëpiak 4 ose 5 pacientë, derisa gjatë fundjavës janë lëshuar tetë pacientë.