Aktakuzë kundër Mimoza Kusarit, Nenad Rashiqit, Besim Beqajt e Dardan Gashit

19 persona kanë përfunduar sot me aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nën akuzën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Në mesin e 19 emrave të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka edhe figura të njohura politike në Kosovë, përfshirë deputeten e Vetëvendosjes nga Alternativa, Mimoza Kusari, ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajn, ish-ministrin e Diasporës, Dardan Gashi si dhe këshilltarin aktual të kryeministrit Kurti, Nenad Rashiq.

Sipas prokurorisë, B.B. kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, M.K., N.R., D.G. dhe L.F. anëtar të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtar, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK, e me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe akionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese.

Dëmi tjetër i shkaktutar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizmit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazura në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje, sipas Prokurorisë Speciale kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.