Al-Khelaifi: Nëse ekipet tjera nuk e pëlqejnë PSG-në, nuk është problemi jonë

Pas shpenzimeve të mëdha gjatë merkatos, presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi e ka mbrojtur politikën e transferimeve të ekipit francez.

Parisienët e thyen rekordin botëror të transferimit të një futbollisti, duke paguar 222 milionë euro për Neymar, dhe kanë arritur marrëveshje me Monaco për transferimin e Kylian Mbappe për 183 milionë euro, në merkaton e ardhshme verore.

Kjo ka bërë që disa ekipe si Barcelona dhe Bayern Munchen, të shprehin kritikat e tyre, dhe UEFA të hapë hetim ndaj PSG, nëse ata kanë thyer apo jo rregullat, por që sipas Al-Khelaifi gjithçka që kanë paguar ata, është brenda rregullave të përcaktuara nga Fair Play Financiar.

“Gjithçka që kemi paguar ishte në mënyrë transparente, nëse ekipet e tjera nuk janë të lumtura me politikën tonë financiare, nuk është problemi PSG-së”, ka thënë Al-Khelaifi.