Ambasada e SHBA-së në Shqipëri thirrje amerikanëve: Shmangi protestat!

Ditën e nesërme do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës ndërsa në të njëjtën kohë në Parlamentin e Shqipërisë do të betohen 4 nga deputetë e “opozitës së re” që po formësohet pasi Lulzim Basha dhe aleatët e tij vendosën të djegin mandatet.

Pritet që njëjtë me tre protestat paraardhëse, ajo e nesërmja të shoqërohet me incidente, dhunë dhe përplasje me policinë, ndaj Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar duke njoftuar qytetarët e saj që të shmangin kalimin përgjatë akseve ku do të zhvillohet tubimi opozitar.

“Demonstrata pritet të ndodhë kur Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet në seancë. Grupi demonstron kundër qeverisë. Kohëzgjatja e demonstratave është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës gjatë protestave të fundit. Shmangni pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose të vazhdueshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.