Amerika takon Thaçin dhe Kurtin në Berlin

Hendeku politik mes Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit është aq i thellë saqë do të duhet angazhim i madh amerikan në njërin nga qytetet më me ndikim në politikën europiane, Berlin, për ta jetësuar takimin mes tyre.

Nesër në kryeqytetin gjerman do të mbahet konferenca “Ballkan Dialogues” (Dialogët Ballkanas), organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim”.

Ishte e planifikuar që, mes tjerëve – ish ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, ish ambasadori amerikan Frank Wisner, si dhe ish përfaqësuesja për Politikë të Jashtme e BE’së, baronesha Catherine Ashton – në panelin kryesor të merrnin pjesë edhe Hashim Thaçi, President i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë

Mirëpo, Vuçiq e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të vizitës në Rusi dhe takimit me Vladimir Putinin.

Në këtë konferencë është ftuar edhe Albin Kurti, lider i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas burimeve, Richard Grenell – ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani dhe emisar i Presidentit Trump për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – është angazhuar për realizimin e takimit mes Thaçit dhe Kurtit, transmeton Klan Kosova.

Ky takim i rëndësishëm vjen në kontekstin e komplikuar paszgjedhor, përderisa garancitë amerikane konsiderohen si mundësi vendimtare për qartësimin e situatës.