Anemia, si ta parandalojmë atë?

Anemia është një gjendje ku trupi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të gjakut, për ta bartur oksigjenin në qeliza të ndryshme dhe organe të trupit. Oksigjeni i furnizuar përmes mushkërive tona bashkohet me hemoglobinën dhe kështu bartet në të gjitha organet dhe qelizat e trupit.

Hemoglobina përbëhet nga katër proteina globine në të cilat bashkohet hekuri.

Trupi juaj mund të mos prodhojë mjaftueshëm qeliza të kuqe në gjak, gjakderdhja mujore tek gratë bënë që të humbin qeliza të kuqe të gjakut më shpejtë se që mund t’i rifitojnë ato, dhe nganjëherë trupi i njeriut i shkatërron vet qelizat e shëndosha të gjakut. Të gjitha këto, përfshirë këtu edhe mungesa e proteinave, hekurit, vitaminës B12, acidit folik dhe ushqimeve adekuate, mund të shkaktojnë anemi tek njerëzit, transmeton Koha.

Simptomat e zakonshme të anemisë:

– Lodhja

– Ligështia

– Lëkura e zbehtë

– Të rrahurat e çrregullta të zemrës

– Vështirësitë në frymëmarrje

– Marramendja dhe kokëdhimbja e lehtë

– Dhimbja e gjoksit

– Duart dhe këmbët e ftohta

Secili nga këta faktor e përcakton llojin e anemisë së paraqitur tek një person.

Bazuar në hulumtimet e kryera, anemia më e zakonshme është anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit. Ajo mund të parandalohet me një dietë të shëndetshme.

Përbërësit e nevojshëm për ta shëruar aneminë janë: hekuri, të cilin kryesisht e marrim nga perimet dhe frutat e thara, mishi i pulës dhe i peshkut dhe vezët. Acidi folik është një vitaminë esenciale për shumimin e qelizave të kuqe në trup. Produktet e pasura me acid folik janë, perimet e gjelbra, fasulet, farat dhe xhenxhefili. Mungesa e acidit folik mund të shkaktohet nga konsumimi i tepërt i alkoolit dhe sëmundjet celiake. Vitamina B12 dhe Vitamina C, po ashtu janë të nevojshme për shërimin e anemisë, pasi luajnë rol kyç në prodhimin e qelizave të kuqe në gjak, si dhe përthithjen e hekurit. Ato mund t’i merrni përmes ushqimeve të ndryshme si: mishi, produktet e qumështit, perimet e ndryshme si domatja, pemët si limoni dhe portokalli, dhe të tjerë.

Hekurin mund ta merrni edhe përmes suplementeve artificiale të cilat ua rekomandon mjeku, por mos harroni, ato janë suplemente të cilat kryejnë punë për një periudhë të shkurtër kohore. Në planin afatgjatë, ju duhet ta përmirësoni kualitetin e ushqimit që e konsumoni, për të qëndruar sa më të shëndoshë.