Astrit Haraqija: Nuk po e përkrahi Arianit Ahmetin për kryetar të FFK-së

Astrit Haraqija mohon të jetë i përfshirë si politikan në situatën e krijuar në futbollin kosovar në mes Agim Ademit dhe Arianit Ahmetit. Ish ministri i Sportit zotohet se nuk po e përkrah Ahmetin për t’ia zënë vendin Ademit dhe se nuk po kërkon nënshkrime nga delegatët në favor të tij, siç thonë në FFK. Madje, ai insiston se nuk e ka ndërmjetësuar punësimin e Arianit Ahmetit në FFK në vitin 2017

“Pyetni të gjithë delegatët e FFK-së, nëse Asriti ka kërkuar nënshkrime për Arianit Ahmetin unë distancohem nga jeta publike dhe profesionale. Asnjëherë nuk kam pirë kafe me Arianit Ahmetin e Adem Grabovcin. Gjejeni një foto apo një fakt unë marrë përgjegjësi”, deklaroi Haraqija

“Arianit Ahmetin e njoh, por nuk e kam parë shumë moti. Unë qe disa javë kam qenë në Mal të Zi, ku pata t’i ndihmojë. Arianit Ahmeti ka hy në FFK përmes Fadil Vokrrit, e jo meje. Unë personalisht e kam preferuar Agim Ademin për kryetar të FFK-së sepse atëherë ishte edhe familja e Fadil Vokrrit për të. Se çka ka ndodh pastaj me të nuk e di. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje politike, as nga un dhe as nga askush kundër zgjedhjes së tij dhe garantoj sepse familja Vokrri ishte me të”, theksoi ai.

Situata në FFK është e trazuar pasi Agim Ademi thotë se do ta vazhdojë mandatin deri në vitin 2022, kurse Arianit Ahmeti thotë se do të kandidojë në zgjedhjet që duhet mbahen së shpejti.