Autoritetet shqiptare vijojnë me projektligjet shumë problematike të medias

Ne, organizatat firmëtare, përsërisim thirrjen tonë për parlamentin e Shqipërisë që të mos miratojë projektligjet e medias të njohura si “paketa antishpifje.” Nëse këto projektligje hyjnë në fuqi, ato do të imponojnë kërkesë për regjistrim me detyrim të medias online dhe të krijojnë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur mediat online si dhe për të bllokuar mediat e huaja – pa një urdhër gjykate. Projektligjet poashtu do të vendosin rregullim shtetëror për mediat online, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimet e vetë-rregullimit.

Ne vërejmë se propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe mund të kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri, pikërisht në kohën kur Shqipëria do të marrë Presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Janar 2020.

Parlamenti i Shqipërisë ka nisur ‘konsultime publike’ mbi projektligjet e medias. I pari i këtyre takimeve u zhvillua më 25 nëntor 2019 mes kundërshtive të forta nga bashkësia kombëtare dhe ndërkombëtare e lirisë së medias. ‘Konsultimet publike’ të radhës do të zhvillohen më 11 dhe 12 dhjetor 2019 në Tiranë, Shqipëri. Projektligjet e medias pritet të miratohen nga parlamenti më 19 dhjetor 2019.

Ka shqetësim të gjithëpërhapur mbi këmbënguljen e qeverisë dhe parlamentit për të vijuar me këto projektligje ndërsa ato sinjalizojnë një kthesë për të keq në klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Shqipëria ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në, Presidencën e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020. Nëse këto projektligje do të miratohen, do të jetë shumë shqetësuese që Shqipëria të marrë këtë rol.

Më 3 korrik 2019, Këshilli i Ministrave të Qeverisë së Shqipërisë miratoi një seri amendamentesh të njohura si “Paketa antishpifje,” të cilat përfshijnë amendamente për ligjin Nr.97/2013 “Mbi Median Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjin Nr. 9918 “Mbi Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë.”

Gjatë misionit tonë avokues në Tiranë të kryer në mes të datës 18 dhe 21 qershorit 2019, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterë pa Kufi (RSF) dhe Organizata e Medias për Europën Juglindore (SEEMO) paralajmëroi për përkeqësimin e klimës së lirisë së medias në Shqipëri.

Ne ngritëm shqetësimet tona serioze mbi legjislacionin e propozuar gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, duke e nxitur atë që amendamentet të harmonizohen me standardet ndërkombëtare. Në korrik, ne i bëmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të tërheqë këto projektligje dhe i kërkuam parlamentit të mos i miratonte ato.

Ne jemi të zhgënjyer që parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me këto projektligje pa trajtuar në tërësi sugjerimet e dhëna nga aktorët vendës dhe institucionet ndërkombëtare. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias publikoi sot, më 9 dhjetor, analizën e tij të fundit ligjore të projektligjeve, përmes së cilës bën thirrje për përmirësimin e tyre në atë mënyrë që të “sigurohet e drejta e lirisë së shprehjes dhe të evitohet çfarëdo rreziku nga kufizimet apo sanksionet e tepruara ndaj mediave elektronike.”

Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias. /European Centre for Press and Media Freedom.