Bale, për fishkëllimat në Bernabeu: Tani jam mësuar

Gareth Bale ka thënë se me kalimin e kohës ka mësuar se si t’i përballojë fishkëllimat e tifozëve të Real Madridit dhe gjithashtu e ka përkrahur Jose Mourinhon për të arritur suksese me Tottenhamin.

Sulmuesi anësor uellsian i Real Madridit, Gareth Bale, e ka dhënë një intervistë për televizionin britanik BT Sport, ku ka folur për fishkëllimat nga tifozët e Real Madridit dhe emërimin e Jose Mourinhos si trajner i Tottenhamit.

“Mendoja se herën e parë që më ndodhi [kur u fishkëlleva nga tifozët], isha paksa i tronditur. Me të vërtetë nuk dija se si të ballafaqohesha me atë që po ndodhte”, ka thënë Bale.

“Por, me kalimin e kohës, më ka ndodhur edhe një apo dy herë të tjera dhe ti mësohesh t’i përballosh. Tani, unë vetëm e injoroj. Në njëfarë mënyrë, me respekt, është vendi më i mirë për t’u fishkëllyer nëse nuk luan ashtu siç duhet. Unë e kuptoj këtë”.

“Natyrisht, unë duhet vetëm të vazhdoj të punoj sa më shumë që të mundem dhe t’ia dëshmoj veten tifozëve. Me kalimin e kohës fishkëllimat ndalen dhe t’i mund ta vazhdosh karrierën në mënyrë normale”.

Mourinho e zëvendësoi Mauricio Pochettinon në pozitën e trajnerit të Tottenhamit në fund të muajit të kaluar, pasi argjentinasi u shkarkua nga kjo pozitë, të cilën e kishte mbajtur për pesë vite.

“Është e mrekullueshme për klubin që tani e ka Mourinhon, mendoj se ai është një fitues serik. Tottenhami dëshiron të fitojë trofe dhe nuk mendoj se mund të ketë partneritet më të mirë sesa Tottenhami me Mourinhon për të fituar trofe”.