Barcelona, ende e interesuar për Neymarin

Transferimi i Neymarit mbetet ende njëri ndër kryesore për presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeun. Skuadra e Barcelonës ende e konsideron brazilianin si opsionin më të mirë për ta përforcuar ekipin.

Barcelona e kupton se duhet ta përforcojë skuadrën në disa skuadra dhe pasi që mandati i Josep Maria Bartomeut do të përfundojë në vitin 2021, presidenti dëshiron ta përfundojë me titull dhe beson se Neymari mund të jetë çelësi që ia realizon këtë synim

Megjithatë, sipas gazetës spanjolle Marca, problemi kryesor do të mbeten paratë. ESPN raporton se çfarëdo marrëveshje mund t’i kushtojë Barcelonës rreth 150 milionë euro, përderisa burime të tjera e kanë vendosur çmimin në 180 milionë euro.

Përveç çmimit që duhet t’i paguhet PSG-së, Neymari do ta kërkonte edhe një pagë mjaft të madhe. Ai besohet se dëshiron të fitojë rreth 70 milionë euron në vit, shumë kjo mjaft e madhe për Barcelonën që veçse shpenzon mjaft shumë para për pagat e stafit.

Aspektet financiare të transferimit të Neymarit do të bënin që Barcelona ta ketë të vështirë të transferojë lojtarë të tjerë të nevojshëm në klub.

Barcelonës i duhet një sulmues në skuadër dhe Lautaro Martinez i Interit është prioriteti kryesor për këtë pozitë, mirëpo ai kushton 110 milionë euro dhe Barcelona do ta kishte të vështirë ta blinte edhe atë, edhe Neymarin. Opsion më i përballueshëm do të ishte Timo Werner i Leipzigut, i cili mendohet se do t’i kushtonte rreth 60 milionë euro.

Ndërkohë, Barcelona do të kërkojë edhe për një qendërmbrojtës, pasi që paraqitjet e Samuel Umtitit nuk kanë qenë shumë mbresëlënëse, përderisa Gerard Pique po shkon drejt fundit të karrierës.

Klubi po kërkon edhe dy mbrojtës anësorë për të dyja anët, si dhe përforcime për mesfushë. Megjithatë, transferimet e reja në mesfushë do të vareshin nga e ardhmja e Carlos Alenas, i cili për momentin është i huazuar në Betis.