BASHKËPUNIMI I SHTETEVE TË BALLKANIT GJATË LUFTËRAVE BALLKANIKE

Shkruan: Jahja Lluka

Fuqitë e Mëdha të kohës u bënë të vetëdijshme për potencialin ushtarak të Prusisë, fill pas fitores së saj mbi Austrinë në betejën e vitit 1966. Katër vjet më pas, lehtësia me të cilën makina luftarake prusiane shpartalloi vijën fortifikuese dhe tërë mbrojtjen e Parisit, e habiti pa masë Evropën. Mesazhi po dilte i qartë, ditët e Anglisë, zot i padiskutueshëm në tregti e në industri, po numëroheshin.

Bashkimi i Gjermanisë, pas Luftës franko-prusiane më 1871 dha shenjën e një dyshimi më të madh në ekuilibrin e forcave. Armiqësia e hershme që ndante Britaninë dhe Rusinë, më në fund do të fashitej, ndërsa lidhjet e vjetra të Gjermanisë e të Austro-Hungarisë me Rusinë do të shkëputeshin. Nga ky rreshtim erdhën e u formuan dy blloqe fuqishë të mëdha, që hynë në luftë në vitin 1914. Ato ishin: Aleanca tripalëshe e Gjermanisë, Italisë dhe Austro-Hungarisë, dhe Antanta, ku bënin pjesë Britania, Franca dhe Rusia. Ky ndryshim u bë më i dukshëm në Gadishullin Ballkanik, ku ngjarjet e mëvonshme do të kthenin gjithçka kokëposhtë.

Mirëpo, Gadishulli Ballkanik qe një lëmsh i ngatërruar. “Ai ishte bërë laborator për ndryshime politike, ku diplomatë të fisëm dhe elita xhepshpuara i binin teneqesë, duke u orvatur për të bashkuar në një traditat folklorike vendore, ideologjitë e reja nacionaliste dhe, mbi të gjitha, interesat e veta afatshkurtëra, për të krijuar një montazh territorial e kushtetues të ngatërruar.
Kongresi i Berlinit zhvillohej në sfondin e shpërnguljeve të mëdha të muhaxherëve, të ngritjeve të vockla inatçore e të luftërave të brendshme për pushtet.

Ndërsa Kongresi ia kishte marrë punës aq shtruar, ushtarët rus dhe trupat e parregullta bullgare së bashku sdërhalleshin me masakra kundër civilëve myslimanë të Bullgarisë. Mbi 150. 000 muhaxherë u dyndën për në Stamboll atë verë, gjë që gati sa nuk e shkatërroi plotësisht infrastrukturën e qytetit.
Autoritetet bashkiake gati sa nuk u dorëzuan nga pafuqia kur shpërtheu një epidemi e tifos, kurse zija e bukës e detyroi qeverinë t’i kthente muhaxherët në Edrene (Adrianopojë), e cila në atë kohë ishte nën pushtimin e egër të rusëve dhe drejtohej nga komandantë ushtarakë që nxisnin mizoritë kundër myslimanëve. Fakte të tilla të realitetit ballkanik u kaluan në heshtje nga Kongresi”.

Delegacioni turk, e shtata “Fuqi e Madhe” e kohës në bisedime, ngriti çështje për diskutim. Por, Bismarku i priti me këmbët e para e në mënyrë fyese. I kërcënuar me dëbim, delegacionit turk iu desh të njoftonte dorëheqjen e Stambollit. Ndërhyrja e rëndësishme e ministrit të Jashtëm të Francës, u bë për delegacionin grek, që të lejoheshin e të dëgjoheshin për zgjerimin e territoreve të Greqisë në një seancë.

Grekët u lejuan në sallë dhe parashtruan çështjen e Greqisë së Madhe. Kërkesat e Rumanisë, ndër to edhe kërkesa kryesore për Transilvaninë, gjetën pëlqimin që Rumanisë t’i jepej pavarësia. Bismarku e siguroi Kongresin se vendimet lidhur me Serbinë do të filloheshin më pas me anën e një traktati te veçantë ndërmjet Vjenës dhe Beogradit.
Shqiptarët u përfaqësuan në këtë Kongres nga dy intelektualët më të shquar, Abdyl Frashëri e Jani Vreto. Por, delegacioni shqiptar doli bosh nga ky kongres.

Neser vazhdimi