Belgjika futet në karantinë shkaku i koronavirusit

Belgjika është bërë shteti më i ri që futet në karantinë shkaku i përhapjes së virusit Covid-19. Qeveria kërkoi nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i kufizojnë kontaktet me njerëzit.

Duke filluar nga mesdita, të gjitha dyqanet me prodhime joelementare dhe tregjet në mjedise të hapura do të mbyllen, ndërsa njerëzit duhet të punojnë nga shtëpia.

Punëdhënësit që kërkojnë nga punëtorët që të shkojnë në vendet e punës, por që nuk mund të ofrojnë kushte për distancim social, do të përballen me gjoba dhe mbyllje të detyrueshme.

Këto masa janë të ngjashme me ato që u morën në Francë një ditë më parë, por pak më të lehta. Njerëzit ende do të kenë të drejtë të shkojnë në dyqane, barnatore, banka, zyra postare dhe librari, shkruan “The Guardian”

Sidoqoftë, dyqanet duhet ta kufizojnë numrin e klientëve në një person për dhjetë metra katrorë, duke lënë të kuptohet se njerëzit do të mund të jenë të detyruar që të presin në radhë jashtë dyqaneve.

Autoritetet thanë që ecja, vrapimi dhe shëtitja me biçikleta janë të lejuara, madje edhe i inkurajuan njerëzit që të merren me to, por gjithmonë duke e mbajtur distancën e nevojshme mes vete.

Këto masa u miratuan në mbrëmjen e së martës nga Këshilli për Siguri Kombëtare, ku bën pjesë edhe kryeministrja Sophie Wilmes.