Bërnabiq ankohet se Haradinaj nuk ka treguar se mund t’i besohet

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar se shpreson që paralajmërimi se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është i gatshëm ta vë në rend dite të Qeverisë së Kosovës debatin për suspendimin e mundshëm të taksave në prodhimet serbe do të realizohet sa më parë për shkak të ekonomisë serbe, por edhe për vazhdimin e dialogut me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo ka zgjatur shumë gjatë. Çdo ditë që zgjatë (vlefshmëria e taksave) është ‘goditje e re në paqen dhe stabilitetin rajonal’, por edhe në ekonominë se Serbisë”, ka thënë kryeministrja serbe.

Ajo ka pyetur se kush do t’i kompensojë prodhuesit e Serbisë për periudhë të vlefshmërisë së taksave, të cilat janë pasojë e vendimit në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

“Haradinaj në asnjë moment, me asnjë gjest, nuk ka treguar se mund t’i besohet”, ka thënë kryeministrja dhe ka shprehur shpresë se kësaj here do të demantohet.

Ajo ka falënderuar partnerët e Serbisë të cilët deri tani kanë folur se Prishtina me vendosjen e taksave paraqet shkelje të gjitha marrëveshjeve dhe se është në kundërshtim me të gjitha vlerat e lidhjeve dhe bashkëpunimeve në shekullin 21, si dhe me stabilitetin në rajon.