Blerim Reka kandidati shqiptar për president?

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela janë parë në një takim të përbashkët në Shkup me prof. dr. Blerim Rekën, ku siç thuhet, është biseduar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe mundësinë e daljes së tij si kandidat presidencial i opozitës shqiptare.
Ndërkohë, Prof.Dr. Blerim Reka, menjëherë pas këtij takimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar:

“Shqiptari, veshtire i fiton votat per President. Maqedonasi, veshtire behet President pa fituar votat shqiptare. Zgjidhja? Vice-President Shqiptar; apo zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi?”.

Gjithashtu, në margjina të Konferencës “Faktori shqiptar në rajon, mes lindjes e Perëndimit”, ku diskutoi edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela, profesori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Sinani tha me bindje të plotë se shqiptarët do të dalin me kandidat presidencial dhe se kjo është më se e qartë.

“Nuk ka se pse mos të hyhet në një gare serioze dhe domethënëse. Mes dy partive maqedonase LSDM dhe VMRO, opozita shqiptare do të gjejë forca ta sfidojë mentalitetin e vjetër jugosllav në Maqedoninë Veriore por edhe dominimin maqedonas. Secili i bën kalkulimet e veta kuptohet edhe shqiptarët.”, theksoi profesori Sinani në konferencën që u mbajt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas Kushtetutës dhe afateve të parapara, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Kandidatët duhet të paraqiten deri më 21 mars ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 31 mars. Mandati i presidentit aktual Gjorgje Ivanov mbaron më 12 maj.

LSDM është në kërkim të aleatëve për të debutuar me një kandidat të përbashkët, ndërsa VMRO-DMPNE e ka bërë publik kandidaten e vet.

A do të jetë Blerim Reka kandidati i opozitës shqiptare për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të duhet të presim konfirmimin zyrtar.