Bolton ia tërheq vërejtjen Sirisë për përdorimin e armëve kimike

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, ia ka tërhequr vërejtjen qeverisë siriane të mos e vlerësojë tërheqjen e trupave amerikane si mundësi për t’i përdorur armët kimike.
Njoftimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria e kishte dhënë presidenti amerikan muajin e kaluar, ndërsa shumë shtete aleate u zunë të befasuara nga ndryshimi i papritur i politikës amerikane.

“Nuk ka asnjë ndryshim në pozicionin e SHBA-së kundër përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian dhe çdo përdorim i mundshëm i tyre do ta merrte kundërpërgjigjen tonë të fuqishme, siç ka ndodhur dy herë më parë”, u tha Bolton gazetarëve në aeroplan, pak para se të arrinte në Tel Aviv të Izraelit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bombarduar Sirinë dy herë për shkak të përdorimit të armëve kimike kundër civilëve. Bombardimi i parë kishte ndodhur në prill të vitit 2017, dnërsa bombardimi i dytë në prill të vitit 2018.

Një zyrtar amerikan kishte thënë në shtator të vitit të kaluar se ka dëshmi që qeveria siriane është duke përgatitur armë kimike në Idlib, vend i cili është baza kryesore e rebelëve. Më shumë se 500 mijë persona kanë vdekur në luftën e Sirisë dhe 11 milionë banorë janë detyruar të zhvendosen nga shteti, shkruan “Reuters”