Brian Deane tregon për lidhjen që ka krijuar me Kosovën dhe si e kishte perceptuar më parë

Brian Deane, personi që kishte shënuar golin e parë në Premier Ligë më 15 gusht 1992 ndaj Manchester Unitedit në fanellën e Sheffield United, tashmë është bërë bashkëpronar i klubit të Ferizajt.

Në një intervistë të gjatë për Daily Mail ndër të tjera ai flet edhe për lidhjen që ka krijuar me Kosovën, dhe si e kishte perceptuar atë më parë.

Daily Mail shkruan se futbolli ishte bërë emblemë e rezistencës për kosovarët gjatë luftës për pavarësi, me lojërat që luheshin ndonjëherë në fshehtësi në fusha të largëta për të shmangur forcat e shtetit serb që ishin aty për të shkatërruar gjithçka që i ngjante kulturës lokale.

E që nga atëherë ajo është rritur për të ndërtuar infrastrukturën e vet, siç do ta shohë Anglia kur në nëntor do të shkojë në kryeqytetin e saj Prishtinën për të luajtur për kualifikimet Euro 2020, transmeton Koha.net.

“Secilën herë që shkoj atje mësoj më tepër për vendin dhe historinë e saj”, shprehet Deane. “Është shumë më ndryshe se si shumica e perceptojnë atë, nga siç e kisha perceptuar. Është një vend i Evropës jugore me popullsi të re dhe kulturë të kafesë. Aty mund të gjeni një biftek të bukur përreth 10 funta, që është vlerë e mahnitshme për paratë”.

Ai thotë se tani Kosova po ndryshon.

“Kur fillova të shkoja atje, rreth tre vjet më parë, do të vozisnit nga Prishtina në Ferizaj dhe do të shihnit shumë pak, ndoshta ndonjë biznes të zakonshëm që prodhon mermer, por tani hapësira po mbushet dhe mund të shihni KFC e Burger King”, thotë Deane.

Deane tregon se kosovarët janë shumë pro britanik e amerikan, derisa thekson se madje ka gjetur respektin vetëm si anglez.

“Ata janë shumë pro-britanik dhe pro-amerikan. Sipas pikëpamjes së tyre ne i shpëtuam ata përmes fushatës së NATO-s. E kjo është arsyeja se pse aty do të gjeni fëmijë të emëruar sipas Tony Blairit. Ata e duan kulturën angleze dhe shikojnë nga ne. Ata më respektojnë si një anglez”, thotë pronari i ri i KF Ferizajt.