Britania e Madhe ndalon transaksionet e kriptovalutave në Binance

Bursa më e madhe për shkëmbimin e kriptovalutave Binance është ndaluar nga rregullatori financiar i Britanisë së Madhe.

Autoriteti britanik i Financave (FCA) ka vendosur që kjo bursë nuk mund të kryejë ndonjë “veprimtari të rregulluar” brenda vendit

FCA gjithashtu lëshoi një paralajmërim për konsumatorët e Binance, duke i këshilluar ata që të janë të kujdesshëm ndaj reklamave që premtojnë kthime të larta në investimet e kriptovalutave.

Binance është një bursë e centralizuar që u ofron përdoruesve një varg produktesh dhe shërbimesh financiare, përfshirë blerjen dhe tregtimin e një game të gjerë të kriptovalutave.

Kompania aktualisht është e vendosur në Ishujt Kajman, ndërsa Binance Markets Limited gjendet në Londër.

Autoriteti britanik tha se Binance Markets Limited (BML), e cila është në pronësi të Binance Group, aktualisht nuk lejohet të ndërmarrë ndonjë aktivitet të rregulluar pa miratimin paraprak me shkrim të FCA-së.

Rregullatori gjithashtu theksoi se asnjë entitet në Binance Group nuk mban ndonjë formë të autorizimit, regjistrimit ose licencës për të kryer veprimtari të rregulluara në Britani të Madhe.

Derisa FCA nuk rregullon kriptovalutat, kompanitë duhet të autorizohen nga rregullatori për të reklamuar ose shitur produkte të tilla brenda vendit. Kjo do të thotë që njerëzit në Britani të Madhe nuk lejohen të përdorin shërbimet e Binance për të spekuluar ose venë bast, nëse çmimi i një kriptovalute si Bitcoin rritet ose ulet.

Por Binance i tha BBC-së se njoftimi i FCA-së nuk ka “ndikim të drejtpërdrejtë” në shërbimet që ofron faqja e saj në internet.

“BML është një entitet i veçantë juridik dhe nuk ofron ndonjë produkt ose shërbim përmes faqes në internet të Binance. Grupi Binance bleu BML në maj të 2020-së dhe deri më tani nuk ka filluar aktivitetin në Britani të Madhe”, tha një zëdhënës i Binance.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Binance vihet nën vëzhgim nga rregullatorët për operacionet e saj botërore.