Buzhala: Një konsumator është kapur 22 herë duke vjedhur rrymën – Podujeva, Drenasi e Deçani prijnë me keqpërdorime

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka folur për gjendjen me furnizimin me energji elektrike, investimet në rrjetin elektrik, zonat në të cilat më së shumti keqpërdoret energjia elektrike si dhe ka treguar për konsumatorin kampion në vjedhjen e rrymës.

Aktualisht Buzhala, ka thënë se nuk janë duke u aplikuar reduktime të rrymës.

“Gjendja me furnizim me energji elektrike është stabile, reduktime nuk ka. Flasim edhe për një prodhim jashtëzakonisht stabil nga ana e KEK-ut, janë duke prodhuar me kapacitete maksimale, ku gjatë 24-orëshit mjafton të mbulohet kërkesa, mirëpo në kohën kurë nuk mbulohet kërkesa, pra në kohën e pikut, atëherë po mbulohet me import dhe po barazohet gjithçka, tha ai.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka treguar se shumica e furnizimit të konsumatorëve me rrymë është duke u bërë nga prodhimi vendor dhe importi është minimal. Po ashtu sipas tij edhe niveli i humbjeve është ulur.

“Fatkeqësisht prishjet ndodhin. Ne e kemi një rrjet të vjetërsuar që është trashëguar në dekada me radhë, ku kërkesa është rritur në vazhdimësi, por rrjeti ka mbetur po ai i njëjti. Totali i humbjeve është 22 për qind, mirëpo ne e kemi trashëguar një humbje deri në 34 për qind, nga 5 vitet e operimit ne kemi mundur t’i ulim ato humbje, për 12 për qind të totalit të energjisë elektrike për çka është përfitim direkt i konsumatorëve”, tha ai.

Buzhala në këtë intervistë ka treguar edhe për zonat ku keqpërdorët më së shumti rryma.

“Janë disa zona të kuqe, Kodra e Trimave në Prishtinë, komplet Komuna e Podujevës, Drenasi, Deçani si dhe një pjesë e Mitrovicës. Do të thotë se këto zona janë më të theksuara që shkojnë deri në 80 për qind të humbjeve”, tregon ai.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se brenda vitit KEDS-i, i zënë 10 mijë konsumatorë që e keqpërdorin energjinë elektrike.

“Ka shumë konsumatorë që i përsërisin shkeljet, sepse nuk frikësohen nga forca e ligjit. Kemi raste kur deri në 22 herë një konsumator është zënë duke e vjedhur energjinë elektrike në Distriktin e Pejës, rasti vazhdon të jetë në gjykatë, konsumatori nuk po e merr dënimin e merituar dhe kështu nuk mund të zgjidhen problemet”, tha Viktor Buzala.

Ai në intervistë ka folur për përformancën financiare të KEDS-it si dhe për planet për investime në rrjet gjatë këtij viti.