Celina mezi po e pret ndeshjen me Malin e Zi, lavdëron “Dardanët”

Bersant Celina mezi po e pret ndeshjen me Malin e Zi, të cilën Kosova do ta zhvillojë më 14 tetor në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Ndërkohë, ylli i Përfaqësueses i ka lavdëruar edhe tifozët “Dardanët” për atmosferën që po e krijojnë në stadium

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë një ndeshje mjaft të rëndësishme më 14 tetor ndaj Malit të Zi, e vlefshme për fazën kualifikuese të Euro 2020

“Dardanët” gjenden në pozitën e tretë në Grupin A me 8 pikë, një më pak se Republika Çeke, me të cilën po luftojnë për të përfunduar në pozitën e dytë, e cila çon në Evropian.

Dhe, peshën e ndeshjes me malazezët po e ndiejnë edhe futbollistët e Kosovës.

Bersant Celina mezi po e pret ndeshjen e së hënës së ardhshme, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“I rikthehem ekipit kombëtar. Do ta zhvillojmë një ndeshje mjaft të rëndësishme kundër Malit të Zi. Le t’ia dalim. Ndër të tjera, shikoni tifozët tanë”, ka shkruar Celina në Instagram.

Siç dihet, futbollisti i Swansea Cityt është një lojtar mjaft i rëndësishëm i ekipit Verdhekaltër.

Kosova do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Gjibraltarin këtë të enjte, ndërsa më 14 tetor do ta ketë sfidën e vërtetë ndaj malazezëve.

Një fitore eventuale do t’ia shtonte gjasat ekipit të Bernard Challandes për t’u kualifikuar në Euro 2020.