Chelseat i reduktohet dënimi i FIFA-s, mund të blejë lojtarë në janar

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka vendosur t’ia reduktojë Chelseat dënimin që e mori nga FIFA për moslejimin e transferimit të lojtarëve për dy afate kalimtare, shkaku i disa parregullsive në lidhje me rekrutimin e lojtarëve të rinj në moshë.

Chelsea tani do të ketë mundësi të transferojë lojtarë qysh nga afati kalimtar i janarit, pasi që CAS-i vendosi t’ia zvogëlojë dënimin, pasi e shqyrtoi apelimin e klubit londinez

Në mars të këtij viti, FIFA ia ndaloi Chelsea të transferojë lojtarë të rinj për dy afatet e ardhshme kalimtare, domethënë afatin kalimtar të kësaj vere dhe afatin kalimtar të janarit 2020, për shkeljen e rregullave të transferimit të lojtarëve nën moshën 18-vjeçare.

FIFA e ndalon transferimin e lojtarëve nën 18-vjeçar në vende të huaja nëse ata nuk i plotësojnë disa kritere specifike. Këto rregulla u caktuan në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga rreziku dhe nga trafikimi.

Një lojtar nën moshën 18-vjeçare mund të transferohet jashtë vendlindjes vetëm nëse:

  1. Prindërit e tij janë shpërngulur gjithashtu, për arsye që s’kanë lidhje me futbollin;
  2. Që të dy klubet janë në Bashkimin Evropian dhe lojtari është mes moshën 16 dhe 18-vjeçare. Klubi duhet t’ia plotësojë lojtarit edhe disa kritere në lidhje me shkollimin, stërvitjen, kushtet e jetës dhe mbështetjen emocionale; dhe
  3. Ata jetojnë më pak se 100 kilometra larg klubit.

Chelsea e ka mohuar ta ketë shkelur ndonjërën prej këtyre rregullave, përkundër që FIFA zbuloi parregullsi në transferimin e 29 lojtarëve nga gjithsej 92 raste të hetuara. Përveç dënimit për afate kalimtare, Chelsea ishte gjobitur me 460 mijë funte.