Çmimet janë rritur për 3 për qind në muajin mars

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin mars të vitit 2019.
Ngritje ka pasur kryesisht tek artikujt ushqimorë si buka dhe drithërat, pemët dhe perimet, por pa ngritje nuk kanë shpëtuar çmimet e derivateve.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.1% në muajin mars 2019.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,1% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin shkurt 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.5%); pemë (2.2%); perime (3.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.1%)-(ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1.5%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (-1.4%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.7%) – (rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK.

Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars 2019, me muajin mars 2018 ishte 3.3%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 3.3% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin mars 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (11.6%); mish (3.7%); qumësht, djathë dhe vezë (4.2%); perime (32.5%); pije alkoolike (1.7%); duhan (3.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (6.4%) – (ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbime hoteliere (1.5%); gjëra personale (3.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.6 për qind në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-10.3%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-2.3%) – (rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje); shërbime për transport (-5.4%) – (rënia e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK.