Cutrone e dërgon Milanin në çerekfinale të Kupës së Italisë, por vetëm pas kohës shtesë dramatike

Sulmuesi italian Patrick Cutrone e ka dërguar Milanin në çerekfinale të Kupës së Italisë, pasi si zëvendësues shënoi dy herë në triumfin 2-0 ndaj Sampdorias në 1/8 e finales të shtunën në Genoa.

I riu italian Cutrone u fut në lojë nga stoli në sekondat e fundit të takimit dhe i vetëm e shkatërroi Sampdorian duke i shënuar dy herë gjatë 30 minutave të kohës shtesë, duke ia garantuar kuqezinjve një vend në çerekfinale, ku e presin fituesin e duelit Napoli – Sassuolo.

Sampdoria dhe Milani nuk qenë në gjendje të shënonin gjatë 90 minutave lojë në ndeshjen e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Italisë, duke bërë që fituesi të përcaktohej pas kohës shtesë prej 30 minutave.

Përkundër rasteve të shumta, asnjëra skuadër nuk ia doli ta gjejë rrjetën e portës.

Kuqezinjtë e kontrolluan më shumë lojën, por ishte skuadra vendase ajo që rrezikoi më shumë duke krijuar më shumë raste dhe duke pasur më shumë goditje në drejtim të portës së Pepe Reinas. Ndeshja e rregullt, megjithatë, u mbyll me barazim pa gola.

Gennaro Gatusso bëri zëvendësimin magjik në minutën e 91-të, duke e sjellë në lojë Patrick Cutronen në vend të Castillejos.

Në minutën e 102, Cutrone i kaloi kuqezinjtë në epërsi pas shumë vuajtjeve, para se ta dyfishonte epërsinë vetëm gjashtë minuta më pas, kur shënoi duke e paraboluar portierin kundërshtar.

Milani, që sezonin e kaluar ishte finalist i Kupës së Italisë, tani e pret fituesin e duelit mes Napolit dhe Sassuolos, në çerekfinale.