Dalin detajet e bisedës telefonike Vuçiq-Merkel për dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksnder Vuçiq, ka folur sot në telefon me kancealren gjermane, Angela Merkel, për raportet bilaterale, për situatën në rajon dhe në veçanti për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra e Vuçiqit, thuhet se ai ka pasur një bisedë të gjatë dhe miqësore, duke treguar se Serbia është e përkushtuar për dialog, të ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të sigurimit të stabilitetit në rajon duke gjetur një kompromis, dhe një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy palët, shkruan Danas

Ai gjithashtu thuhet se e ka falënderuar kancelaren Merkel dhe presidentin Makron për iniciativën që të mbështesin procesin me takimet në Berlin dhe Paris.

Siç theksohet në deklaratën e zyrës së tij, ai ka kërkuar që Prishtina të pezullojë taksën, në këmbim të kthimit të Serbisë në dialog, duke i kërkuar ndihmë edhe Merkelit për ta pasur një tregti të lirë.

Në këtë bisedë telefonike me Merkelin Vuçiq ka thënë se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Merkelin për ‘Procesin e Berlinit’, që ka kontribuar në stabilitetin e rajonit.

Kjo bisedë e tij, vjen pas një forumi të djeshëm në Bratisllavë ku mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, e me të cilin janë përplasur rreth çështjes së taksës, Asociacionit e marrëveshjes së Brukselit.