Dardan Molliqaj e quan tradhtar e gënjeshtar Kurtin

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një status të publikuar në Facebook, ka shkruar rreth ndryshimit të kryeministrit Kurti, për të cilin ndryshim thotë se ka nisur prej kohësh.

Molliqaj ka thënë se këtë Albin të transformuar që ne e njohëm në vitin 2016, kur filluam të largohemi prej tij, sot po e njohin e po çuditen edhe partia e votuesit e tij.

Madje kryetari i PSD-së i drejtohet me akuza të rënda Kurtit, duke e quajtur tradhtar e gënjeshtar.

Ky është postimi i plotë i tij:

• Kurti nuk paraqet më asnjë vlerë dhe besim në politikë. Ai s’ka projekt politik të cilin do ta shtyejë përpara. Me të ardhur në pushtet, pranoi gjithçka që ka kundërshtuar.

• Dialogu me Serbinë është pika mbi të cilën Kurti ka lindur dhe është rritur në poltikë. Sot ai NUK KA qëndrim për këtë proces. Çdo parakusht për dialog që dikur e trumbetonte, sot ka rënë poshtë, nuk ekziston. Ai do të ulet në dialog edhe pa kërkuar falje Serbia. Ai do ta takojë Vuçiçin edhe pse ai është pasues i Millosheviçit. Pra, çasja ndaj Serbisë nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar vetëm Kurti.

• Kurti duke ndryshuar vet, po don ta ndryshojë edhe Listën SRPSKA. Dikur Listë çetnike, sot na qenkan bërë subjekt konstruktiv. Nga instrument i Beogradit, në partner qeveritar. Pra, kur nuk je me Kurtin je çetnik, kur je me Kurtin, bëhesh konstruktiv.

• Kur Kurti merr pushtetin, Thaçi dikur tradhëtar i kombit, presidenti i pazareve, hajn i parasë publike, dhunues i demokracisë bëhet partner me të cilin Kurti do të konsultohet.

• Kurti mbrëmë tregoi se ka gënjyer jo vetëm votuesit e tij, por të gjithë ata që e kanë dëgjuar. Ai tregoi vet që Qeveria e tij NUK KA program qeverisës. Ndonëse për muaj të tërë na patën thënë që harmonizimi i programit është punë e kryer, sot një dokument i tillë nuk ekziston. Bash sikurse secili kryeminister tjeter, mori pushtetin PA PROGRAM QEVERISËS!

Ndryshimet e transformimet e Kurtit do të ishin më lehtë të pranueshme vetëm nëse rruga deri te pushteti të mos përcillej me humbje të jetës së njerëzve, rrahje, burgje etj.

Sot ka ende qytetarë aktivistë që në trupin e tyre kanë copëza të plumbave në përpjekjen për arritjen e qëndrimeve të cilat sot Kurti i ka braktisur. Kurti tregoi që është në gjendje të instrumentalizojë e tjetërsojë çdo mund e sakrificë të secilit aktivist jo për të ndryshuar Kosovën, por për të ndryshuar qëndrimet e tij.

Prandaj Albin Kurti është tradhëtar. Duke tradhëtuar qëndrimet e tij, ai ka tradhëtuar kolegët aktivistë, ka tradhtuar kauzat për të cilat kanë vdekur njerëz. Ka hequr dorë nga kauza për përparim e barazi shoqërore.