De Ligti i komenton spekulimet se do të transferohet në Barcelonë

Kapiteni i Ajaxit nuk pranoi t’i nxisë spekulimet që po e lidhin atë me një transferim të mundshëm në Camp Nou gjatë afatit kalimtar të verës.

Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Ajaxit, Matthijs de Ligt, ka thënë se nuk ka asgjë për të bërë të ditur, pas spekulimeve se ai është afër transferimin në Barcelonë, në fund të këtij sezoni

De Ligti – i cili sipas trajnerit të tij, Erik ten Hag, do të largohet nga Ajaxi në fund të sezonit – është njëri ndër mbrojtësit më të kërkuar në Evropë dhe pikërisht Barcelona është klubi që deri më tani ka shprehur më së shumti interesim.

Në një intervistë në fillim të kësaj jave, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, refuzoi ta përjashtonte mundësinë që holandezi 19-vjeçar mund t’i bashkohet klubit e tij këtë verë.

Pasi e shënoi golin e fitores në ndeshjen kundër Juventusit, që përfundoi me rezultat 2:1, De Ligti i arriti gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve me Ajaxin, pas fitores me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Menjëherë pas kësaj ndeshjeje, De Ligti u pyet për të ardhmen. Gazetari e pyeti se kur do ta bënte të ditur transferimin e tij në Barcelonë, De Ligti u përgjigj: “Ta bëjë të ditur? S’ka asgjë për të bërë të ditur”.

Kur gazetari e shtyu De Ligtin të përgjigjej edhe një herë për këtë spekulim, ai u përgjigj duke buzëqeshur: “Ne jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe në vendin e parë në ligë. Kam mjaftueshëm për të luajtur”.

Bashkëkombësi dhe bashkëlojtari i De Ligtit në Ajax, Frenkie De Jong, tashmë ka arritur marrëveshje me Barcelonën dhe do t’i bashkohet klubit spanjoll në fund të këtij sezoni. Edhe De Ligti pritet t’i ndjekë hapat e De Jongut.