De Ligti zbulon pse e zgjodhi Juventusin

Pasi u konfirmua transferimi i tij në Juventus, Matthijs de Ligti tha se është i mërzitur që e la Ajaxin, mirëpo shtoi se i është bashkuar Juventusit pasi që është i dashuruar me mbrojtjen në futbollin italian.

Qendërmbrojtësi holandez, Matthijs de Ligt, e kompletoi transferimin e tij nga Ajaxi në Juventus të enjten në mëngjes. Në intervistën e tij të parë si pjesë e bardhezinjve, ai zbuloi pse e zgjodhi “Zonjën e Vjetër” para Barcelonës, Paris Saint-Germainit e Manchester Unitedit
“Unë luajta dhjetë vjet në ekipin e të rinjve dhe tre vjet në ekipin e parë të Ajaxit, por, fatkeqësisht, tani ishte momenti për ta bërë një hap përpara”, është shprehur 19-vjeçari i transferuar në Juventus për 75 milionë euro, në një intervistë për Ajax Tv.

“Unë gjithmonë kam qenë i mahniti nga arti italian i mbrojtjes . Shumë prej idhujve të mi janë italianë: Maldini, Baresi, Nesta, Cannavaro, Scirea… mund të vazhdoj”.

“Unë u dashurova me mënyrën se si klubet italiane mbrojnë. Për mua, është pikëlluese të largohem nga Ajaxi. Unë i përjetova disa ndër momentet më të mrekullueshme dhe disa shumë të shëmtuara aty”.

“Por, në jetën tonë gjithmonë vjen një moment kur ne duhet të shkojnë ndaras nëpër rrugët tona. Do të më mungojnë të gjithë, por askush nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja”.

Holandezi u bë njëri ndër mbrojtësit më të vlerësuar në botën e futbollit që kur e bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Ajaxit, në vitin 2016.

Sezonin e kaluar, ai e ndihmoi Ajaxin të arrijë deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e tij pësoi disfatë në momentet e fundit kundër Tottenhamit.

De Ligti i bëri 55 paraqitje në të gjitha garat gjatë sezonit 2018/19, duke i shënuar shtatë gola dhe duke i ndihmuar skuadrës së tij t’i fitojë dy trofetë vendore – ligën dhe kupën.

Adoleshenti është bërë i rregullt edhe në ekipin kombëtar. Ai tashmë i ka regjistruar 17 paraqitje për ekipin e parë të Holandës, që kur e bëri debutimin në vitin 2017.

Për Juventusin, De Ligti është lojtari i shtatë i transferuar gjatë këtij afati kalimtar të verës. Kampioni italian është duke e rindërtuar skuadrën në tentim për ta fituar titullin e parë të Ligës së Kampionëve që nga sezoni 1995/96.

Adrien Rabiot, Aaron Ramsey dhe Gianluigi Buffon kanë ardhur në Juventus si transferime të lira, ndërsa Luca Pellegrini u ble nga Roma, Merih Demiral erdhi nga Sassuolo dhe Cristian Romero u transferua nga Genoa.