Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për lidhje ilegale në rrjetin elektrik

I akuzuari për lidhje të paautorizuar në shërbime, I.Rexhepi është deklaruar i pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sllavica Popoviq, i akuzuari Rexhepi nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Rexhepi, deklaroi se nuk ka kryer këtë vepër dhe se këtë e ka bërë djali i tij me disa shokë, andaj ka shtuar se nuk mund të merr përgjegjësi për këtë.

Në rrethana të tilla, gjykatësi i çështjes, Nexhat Aliu, njoftoi të akuzuarin se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Iskender Rexhepit, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321, i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 27 qershor 2018, në kohë të papërcaktuar dhe në vazhdimësi, në shtëpinë e tij në fshatin Drobesh, si shfrytëzues i energjisë elektrike, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka përfituar nga shërbimet komunale, në atë mënyrë që punëtorët e autorizuar të KEDS-it, njehsorin elektrik tek ky konsumator e kanë shkyçur nga distanca për shkak të borxhit që konsumatori kishte ndaj kompanisë KEDS.

Në aktakuzë thuhet së pas kësaj e kanë vërtetuar se i pandehuri ka bërë një lidhje direkte në shtyllën elektrike, me ç’rast nga kjo lidhje ka furnizuar me energji elektrike pajisje të amvisërisë, të cilat nuk kanë mundur t’i regjistrohen për shkak se objekti ka qenë i mbyllur, ndërsa shpenzimet e krijuara të energjisë elektrike nuk janë regjistruar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Distrikti Gjilan i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 148,75 euro.