Dështon miratimi i buxhetit, Spanja pranë zgjedhjeve të parakohshme

Pritet që Spanja të shkojë në zgjedhje të parakohshme për herë të tretë brenda më pak se katër vjetësh për shkak se partitë e qendrës së djathtë dhe deputetët katalonas kanë votuar kundër miratimit të buxhetit shtetëror.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, po përballet me një betejë të ashpër politike për buxhetin e vitit 2019 për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga opozita dhe kritikët e qeverisë. Partia e kryeministrit Sanchez i ka vetëm 84 ulëse në kuvendin me gjithsej 350 ulëse. Ajo kishte ardhur në pushtet pas votës së mosbesimit ndaj Partisë Popullore Konservatore, me ndihmën e partive nacionaliste baske dhe katalonase.

Sidoqoftë, dy partitë kryesore katalonase i janë bashkuar Partisë Popullore dhe partisë “Qytetarët”, të cilët votuan kundër miratimit të buxhetit të propozuar nga qeveria. Kundër buxhetit ishin 191 deputetë, 158 deputetë e përkrahën atë dhe një deputet abstenoi.

Pritet që kabineti qeveritar i kryeministrit Sanchez të mblidhet gjatë ditës së sotme dhe të shpallen zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme, të cilat besohet se do të mbahen në prill ose në maj.

Kryetari i partisë opozitare, “Qytetarët”, ka deklaruar se me dështimin e buxhetit ka humbur kryeministri, ndërsa ka fituar Spanja, duke kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt që është e mundur, shkruan “The Guardian”.