Diaspora kontribuon me 720 mijë euro në fondin emergjent

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se deri tash, falë mbështetjes financiare nga diaspora, gjatë periudhës së pandemisë janë mbledhur më shumë se 720 mijë euro.

Ai këtë e ka bërë të ditur pas një bashkëbisedimi virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Evropë.

Siç bëhet e ditur nga një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti theksohet të ketë thënë se bazuar në rëndësinë e diasporës, Qeveria mendon të fuqizojë rolin e saj.

“Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës dhe kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në Programin e Qeverisë. Në këtë drejtim, ne e mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, ka thënë ai, duke shtuar se diasporën e shohin si kapital human, përpos financiar.

Për këtë arsye, Kurti ka thënë se do të fokusohen në krijimin e një programi nacional që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga diaspora në Kosovë.

“Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, dhe me qëllim të ristrukturimit të përfaqësimit, kjo qeveri ka bashkuar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për këtë jemi bazuar në modele të suksesshme ndërkombëtare, sikurse ai i Irlandës”, ka shtuar tutje ai..

Ai i ka njoftuar edhe për lehtësimin e masave, duke uruar që së shpejti të hapen kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët tanë.

Kurti tutje ka thënë se Ministria e Financave dhe Transfereve është në përgatitje e sipër të pakos së dytë fiskale, atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila ndër të tjera për qëllim do ta ketë riorientimin e ekonomisë dhe përfshirjen sa më aktive të diasporës në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik.