Dimitrov-Cakaj: Shkupi dhe Tirana partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO dhe BE

Shqipëria ishte vendi i tretë anëtar i NATO-s që e ka nënshkruar Protokollin për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë, ndërsa dy vendet do të ndajnë edhe përvoja në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Këtë e theksoi ushtruesi i detyrës, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij, shefin e diplomacisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vend fqinj si rezultat i rrethanave të rastësishme gjeografike, por edhe mik dhe partner strategjik me të cilin marrëdhëniet i ndërtojmë përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit efektiv. Inkuadrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rruga e përbashkët drejt BE-së është vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe veçanërisht për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, ka thënë Cakaj.

Ministri Dimitrov nga ana e tij e falënderoi Shqipërinë për ratifikimin e fundit të Protokollit për inkuadrim në NATO në Parlamentin shqiptar. Ai u përqendrua edhe në vizat e përbashkëta evropiane të dy vendeve.

“Suksesi i një shteti nga rajoni është sukses për tërë rajonit. Do të donim shumë që në qershor të kemi rast për festim të përbashkët”, ka thënë Dimitrov.

Dy vendet presin që në qershor në Samitin e BE-së të konfirmohet vendimi për fillimin e negociatave me BE-në.

Në takim u bë fjalë, mes tjerash edhe për Korridorin 8 dhe për mundësinë për nënshkrim së shpejti të iniciativës për formimin e qendrave kulturore në dy vendet, si dhe për rëndësinë e bashkësisë shqiptare në vendin tonë dhe në bashkësinë maqedonase në Shqipëri të cilat janë urë e bashkëpunimit, ndërsa u bë fjalë edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili u përshëndet nga pala shqiptare si kontribut ndaj bashkëjetesës etnike dhe karakterit demokratik të shtetit.

Në pyetje të gazetarëve, shefi i diplomacisë së Shqipërisë konfirmoi se dje në Shkup ka pasur takime me të gjithë liderët e partive politike shqiptare në të cilat, siç tha, kanë shkëmbyer ide për shumë çështje.

“Shkëmbyem ide dhe patëm bisedime të sinqerta. E konfirmuam domosdoshmërinë për bashkëpunimin tonë të mëtutjeshëm që të koordinohen aktivitetet dhe për të pasur rol konstruktiv në përgjithësi”, tha Cakaj.

Në pyetjen si e komentojnë idenë për korrigjimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, dy ministrat theksuan se kjo është para së gjithash, çështje e autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd.

“Kjo është çështje për institucionet kosovare. Shqipëria mund vetëm ta mbështesë qëndrimin e Kosovës. Në këtë proces ne e mbështesim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë se kjo marrëveshje duhet të konkludojë me mbështetjen e perspektivave evropiane”, theksoi Cakaj.

Për Dimitrov ka dy elemente kyçe për qëndrimin e Maqedonisë lidhur me këtë çështje.

“Mbështesim zgjidhjen me të cilën do të harmonizohen edhe Prishtina edhe Beogradi. Kjo është shumë elementare sepse problemi është atje, Problemi i dytë është zgjidhja që do të kontribuojë ndaj stabilitetit rajonal dhe vizionit që tërë procesi të shkojë drejt Evropës”, tha Dimitrov.

Cakaj sot në Shkup duhet të ketë takime edhe në Qeveri edhe në Kuvend.